(VIDEO) Rrethi i parë i presidencialeve: Entuziazëm te fituesit e “arsyetime” në kampin humbës

(VIDEO) Rrethi i parë i presidencialeve: Entuziazëm te fituesit e “arsyetime” në kampin humbës

Kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila u rendit e para me numrin më të madh të votave, në konferencë për shtyp falënderoi qytetarët për suksesin e arritur dhe shtoi se për të është shumë frymëzues.

Gordana Siljanovska, kandidate e VMRO-DPMNE-së

“Ky rezultat është tepër frymëzues për mua, atë që kam premtuar, do ta arrij që në ditën e parë. Po vjen raundi i dytë, do të garoj me kundërshtarin me respektin e duhur, të njëjtën gjë pres edhe nga ana tjetër. Nuk duhet të hedhim hije mbi atë që ndodhi sot. Duhet t’i bindim qytetarët se ia vlen të marrim pjesë në zgjedhje dhe se jam krenare për qytetarët”.

Për rezultatet zgjedhore, kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, “fajin” e sheh në atë se këto zgjedhje ka pasur shumë kandidatë dhe votat janë shpërndarë.

Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së

“Nesër është ditë e re, kuptohet se tashmë prej nesër fillojmë me takime me qytetarët, të cilat i kemi praktikuar edhe deri tani. Fillojmë praktikisht nga 0. E dini, se kishte 7 kandidatë si asnjëherë deri tani dhe me siguri kjo ishte njëra nga shkaqet përse u shpërndanë votat në shumë anë. Dhe ndoshta disa nga kandidatët që u larguan në raundin e parë morën një pjesë të asaj që supozohej të ishte elektorati i dy kandidatëve kryesor që ecën përpara”.

Lideri i Lëvizjes ZNAM dhe kandidati për president Maksim Dimitrievski, falenderoi qytetarët, që partinë e tij e nxorrën si forcën e tretë politike në kampin maqedonas.

Maksim Dimitrievski, kandidat i Lëvizjes “Znam”

“Sot ZNAM së bashku me të gjithë përkrahësit e saj po shkruan një histori të re në skenën politike maqedonase. Mund të konfirmoj se në bllokun politik maqedonas lindi forca e tretë politike në vend, të cilën synojmë ta konfirmojmë dhe ta përmirësojmë edhe më tej në periudhën e ardhshme, në mënyrë që një ditë qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin diçka të re, tha Maksim Dimitrievski”.

Kurse kandidati i partisë “Grom” Stevço Jakimovski pranoi humbjen dhe uroi kundërkandidaten Siljanovska, për rezultatin e arritur.

Kandidatja e “Levicës”, Biljana Vankovska, nuk pati deklaratë për media pas shpalljes së rezultateve, vetëm në Facebook uroi fituesit dhe tha se qëllimi i saj nuk ka qenë të fitoj, por të shqetësoj elitën e paprekshme të pushtetit.

Ndërkohë, në vend vazhdon fushata zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe të zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING