(VIDEO) Revizioni: Më shumë donacione ka pas Siljanovska, më pak Pendarovski

(VIDEO) Revizioni: Më shumë donacione ka pas Siljanovska, më pak Pendarovski

Enti Shtetëror i Revizionit i publikoi dy raportet e  fushatës zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat janë dorëzuar nga shtatë kandidatët për President – njëri në ditën e 11-të nga fillimi i fushatës ose në mes të fushatës dhe tjetri në fund të fushatës, pra në ditën e 20-të nga fillimi i saj.

Raporti I Revizionit tregon se më shumti donacione për fushatën për zgjedhjet presidenciale ka pasur Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, ndërsa më pak Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.

Donacionet për fushatat për zgjedhjet presidenciale janë nga deputetë, kryetarë komunash, anëtarë partish apo përmes llogarive të partive – paratë derdheshin në llogaritë e transaksioneve të parashikuara për fushatën zgjedhore. Dikush ka dhuruar 500 denarë, dikush 100.000 denarë e dikush tjetër edhe 300.000 denarë.

Raporti i parë për mjetet e donuara në llogarinë e transaksionit për fushatën zgjedhore të Stevo Pendarovskit i dorëzuar në Entin Shtetëror për Revizion ishte i zbrazët, gjegjësisht përmban vetëm vulë dhe nënshkrim.

Sipas raportit të dytë, të dorëzuar më 23 prill të këtij viti, në fushatën zgjedhore të Pendarovskit kanë dhuruar tre persona fizikë – 50 euro, 100 euro dhe një person rreth 350 euro, pra numri i përgjithshëm i donacioneve nga persona fizik arrin në 31.912 denarë ose rreth 520 euro.

Për fushatën e Pendarovskit ka dhuruar edhe një kompani, KAN Kumanovë – 115.000 denarë, ku të ardhurat totale nga donacionet për fushatën arrijnë në 146.917 denarë ose rreth 2.400 euro.

Llogaria donatore e kandidates për presidente të mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova, është mjaft e pasur, për janë transferuar para nga llogaria e VMRO-DPMNE-së në llogarinë zgjedhore nga 526 personave fizikë ku janë mbledhur  19.950.000 denarë, ose mbi 325 mijë euro. Për Siljanovskën kanë dhuruar nga më shumë se dy mijë euro disa deputetë të VMRO-së, ndërsa deputeti Aleksanrër Nikollovski ka dhuruar 360 mijë denarë ose 5 850 euro.

Raporti i dytë i dorëzuar nga Siljanovska është bosh, duke pretenduar se nuk ka pasur donacione në dhjetëditëshin e dytë të fushatës.

Raporti I parë për 10 ditët e para të fushatës, i kandidatit Bujar Osmani nga “Fronti Europian” nuk ka asnjë donacion, ndërsa në Raportin e dytë  thuhet se kompania TDK Hak Komerz ka dhuruar 185.000 denarë, ndërsa 4.100.000 denarë janë transferuar përmes llogarisë partiake të BDI-së, pa specifikuar personat që kanë dhuruar. Sipas kësaj, donacionet në llogaritë e transaksionit për fushatën zgjedhore të Osmanit arrijnë në rreth 69 mijë euro.

Kandidati i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari dhuroi 183.000 denarë në llogarinë e transaksionit për fushatën zgjedhore. Nga partia “Alternativa” në llogarinë transaksionale për fushatë zgjedhore janë transferuar donacione nga persona fizikë në vlerë prej 600.000 denarë në një rast, dhe në një rast tjetër 1.800.000 denarë.

Nga Aleanca për Shqiptarët janë transferuar 250.000 denarë. Sa i përket personave fizik, në llogarinë transaksionale për fushatën zgjedhore janë pranuar donacione nga pesë persona në vlerë prej 521.900 denarë. Sipas kësaj, numri i përgjithshëm i donacioneve për fushatën presidenciale, sipas dy raporteve, arrin në 3.354.900 denarë ose rreth 55 mijë euro.

Për Fushatën e kandidatit Maksim Dimitriev nga ZNAM  kanë donuar pesëmbëdhjetë persona fizikë – rreth 750.000 denarë ose 12 mijë euro, ndërsa vetë Dimitrievski dhuroi 20.000 denarë.

Kandidatja për presidente, Biljana Vankovska, e mbështetur nga partia “E Majta”, ka pasur të ardhura nga donacionet prej 1.093.995 denarë  ose rreth 18 mijë euro nga 31 persona. Vetë Vankovska dhuroi 184.300 denarë në llogarinë e saj të fushatës. Deputetët e majtë, Dimitar Apasiev dhe Borislav Krmov kanë dhuruar nga 153.250 denarë. Sekretarja e përgjithshme e të majtës, Jovana Mojsoska, nga ana tjetër, nga buxheti i saj ka ndarë 61.200 denarë për fushatën zgjedhore të Vankovskës.

Në fushatën e Stevço Jakimovskit, kandidati GROM-it dhuruan 20 persona, ndërsa ai vetë dhuroi 150.000 denarë. Dobrila Andonovska, nënkryetare e GROM-it, ka dhuruar 100.000, ndërsa shumat e personave të tjerë që kanë dhuruar janë 30.000 ose 60.000 denarë. Numri i përgjithshëm i donacioneve në llogarinë zgjedhore të Jakimovskit, sipas dy raporteve, arrin në 986.000 denarë ose rreth 16 mijë euro.

Përveç donacioneve që shkojnë në llogaritë e kandidatëve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka llogaritur se për shkak të zgjedhjeve dyfishta, për reklama politike me pagesë do të nevojiten një shumë rekord e buxhetit të shtetit – 10.6 milionë euro. /SHENJA/

 

 

MARKETING