(VIDEO) Rasti i LLaskarcës, sërish mungoi eksperti Zeqrija Zekiri

(VIDEO) Rasti i LLaskarcës, sërish mungoi eksperti Zeqrija Zekiri

Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot, në vend që të dëgjohet ekspertiza kyçe e Zekirja Zekirit, për mungesë të të cilit për shkaqe shëndetësore, janë shtyrë disa seanca të gjykimit për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, është marrë në pyetje ekspertja Jovanka Savova si pjesë e ekipit që përgatiti superekspertizën të cilën gjykata e urdhëroi në dhjetor të 2021. Zekiri as dje nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë me të njëjtin sqarim, të cilin në gjykatë thonë se janë të pafuqishëm ta kontrollojnë për shkak se është dorëzuar një certifikatë e vlefshme mjekësore.

Por, siç sqaruan nga atje, nëse eksperti vazhdon të mos paraqitet në seanca, gjykata mund të dënojë Byronë e Ekspertizës Gjyqësore, nga e cila është përzgjedhur Zekiri për ekspertizë në këtë rast, ose do ta shoqërojnë atë deri në gjykatë. Gjykata iu përgjigj edhe pretendimeve se eksperti Zekiri qëllimisht po i shmang seancat për shkak të lidhjes së tij me partinë politike BDI, e cila poashtu lidhet me pronarin e kompanisë “Durmo Tours”, autobusi i të cilit ishte përfshirë në aksident.

GJYKATA

“Nuk kemi mundësi të vërtetojmë se mungesa e ekspertit është apo jo për arsye shëndetësore. Ne si gjykatë bëjmë gjithçka për të eliminuar elementin subjektiv nga gjykimet”.

Superekspertiza e urdhëruar nga Gjykata në dhjetor 2021 është refuzuar nga fakultetet shtetërore, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ose nuk kanë qenë kompetentë për të. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë e Ekspertizës Mjeko-Ligjore. Superekspertiza ka mbërritur në gjyqësor në dhjetor.

Aksidenti në afërsi të Laskarcës ka ndodhur më 13 shkurt 2019, ku 16 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 janë lënduar. Të akuzuar janë Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik. Për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING