(VIDEO) Punonjës të MPB-së pa sigurim shëndetësor, Fondi: Nuk janë paguar kontributet
Fondi i Sigurimit Shëndetësor thotë se problemi me sigurimin shëndetësor të të punësuarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është si rezultat i problemeve teknike ose ndërprerje e sistemit të Fondit, por atyre nuk u janë paguar kontributet. Ata sqarojnë se sigurimi shëndetësor aktivizohet automatikisht pas evidentimit të kontributeve të paguara. Siç bëjnë me dije përfaqësues të Fondit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme janë në koordinim për realizimin e procedurave të nevojshme për tejkalimin e situatës në kohë sa më të shkurtë.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor
“Sipas të dhënave të regjistruara në sistem, në Ministrinë e Brendshme janë regjistruar punonjës që janë rikthyer në punë bazuar në vendime gjyqësore. Për disa nga këta individë, pagesa e duhur e kontributeve të sigurimit shëndetësor për periudhën për të cilën janë regjistruar aktualisht nuk është evidentuar”.
Sindikata e Pavarur e Policisë thotë se po e përcjellë me vëmendje situatën dhe se gjatë ditës do të kërkojnë që Ministria e Brendshme të reagojë.
Sindikata e Pavarur e Policisë
“Ne vlerësojmë se situata të tilla janë të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten në Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Pensional, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurimin shëndetësor për zyrtarët policor”.
Mediat raportuan se prej dje të gjithë të punësuarit në MPB nuk kanë sigurim shëndetësor, janë kthyer nga kimioterapia, nga procedurat diagnostikuese, laboratorët, me sqarim që duhet të paguajnë privat ose të presin që situata të rregullohet.
Emine Ismaili /SHENJA/

