(VIDEO) Promovohet platforma “Ekoskopje”, qytetarët më lehtë mund t’i paraqesin problemet ekologjike
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski ka njoftuar se sot është promovuar platforma EkoSkopje. Kjo vlerësohet si zgjidhje e re digjitale përmes së cilës qytetarët do të mund të raportojnë më lehtë problemet mjedisore, ndërsa shërbimet e qytetit do të marrin informacione konkrete për të vepruar në mënyrë më të organizuar.
ORCE GJORGJIEVSKI-KRYETARI I QYTETIT TË SHKUPIT
“Një ide e të rinjve po shndërrohet në vepër, në shërbim të qytetit tonë. Si funksionon platforma ‘EkoSkopje’? Kur të vëreni një deponi të egër, problem me kontejnerët apo ndonjë problem tjetër mjedisor, përmes platformës mund të dërgoni një raport me lokacionin e saktë, një fotografi dhe një përshkrim të shkurtër. Kështu, shërbimet përkatëse do ta kenë më të lehtë ta gjejnë vendin dhe të kenë një pasqyrë më të qartë të gjendjes në terren”.
Gjorgjievski theksoi se për qytetarët, kjo nënkupton raportim më të lehtë, më shumë transparencë në trajtimin e rasteve dhe komunikim më të drejtpërdrejtë me institucionet. Ndërkaq Ivan Jovanov, Drejtori ekzekutiv i LEAD-it, tha se bëhet fjalë për sfidat që vinin si pasojë e mbushjeve të kontenjerëve të mbushur.
IVAN JOVANOV-DREJTORI EKZEKUTIV I LEAD-it
“Bëhej fjalë për sfidat që vinin si pasojë e mosveprimit në lidhje me deponitë ilegale dhe mbushjen e kontejnerëve të mbeturinave. Së bashku me rreth tridhjetë të rinj, në kuadër të një kampi inovacioni që u mbajt në muajin prill, punuam për të gjetur zgjidhjen më të mirë për këtë problem”.
Kurse përgjegjësi për realizimin teknik të platformës Andrej Bozhinovski bëri të ditur se tre deri në katër muajt e fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e Qytetit të Shkupit, me sektorin përkatës.
ANDREJ BOZHINOVSKI-REALIZUESI I PLATFORMËS
“Gjatë tre deri në katër muajve të fundit, kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e Qytetit të Shkupit, përkatësisht me sektorin përkatës. Kam qenë përgjegjës për krijimin dhe zhvillimin e platformave, të cilat ende janë në proces të implementimit. Sigurisht, këtë e kemi realizuar me ndihmën e të rinjve të ekipit dhe të anëtarëve të tjerë, të cilët, përmes sugjerimeve dhe ideve të tyre, na kanë ndihmuar ta përmirësojmë zgjidhjen”.
Realizuesi u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin platformën dhe të kontribuohet në identifikimin më të shpejtë të problemeve.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

