(VIDEO) Projekti holandez për Këshillin Gjyqësor kapte vlerën e rreth një milion eurove

(VIDEO) Projekti holandez për Këshillin Gjyqësor kapte vlerën e rreth një milion eurove

Vendimi i Holandës për të pezulluar një projekt me vlerë gati një milion euro për shkak të situatës në Këshillin Gjyqësor – jehoi si tërmet në opinion. Ky është sinjali i parë që vjen nga komuniteti ndërkombëtar, i cili prej vitesh financon projekte në gjyqësor.

Sipas informacioneve nga ambasada holandeze, bëhet fjalë për një projekt me vlerë 954.850 euro që ishte paraparë të realizohej deri në shtator të vitit të ardhshëm i cili duhej të forconte kapacitetet dhe kompetencat e Këshillit Gjyqësor përmes shkëmbimit të ekspertëve me Këshillin gjyqësor holandez.  Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të rritej efikasiteti i gjyqësorit, do të promovohej llogaridhënia, do të vendosej një sistem menaxhimi i bazuar në performancë, do të promovoheshin standardet e integritetit dhe etikës dhe do të promovohej bashkëpunimi rajonal. Edhe pse projekti ka nisur që nga shtatori  I vitit 2020 dhe duhet të kishte rezultate, ngjarjet e fundit në Këshillin Gjyqësor treguan arbitraritet, mospërfillje të procedurave dhe ligjshmërisë, zgjidhje me dyer të mbyllura dhe me ndikime politike.

Të dhënat tregojnë se qeveria holandeze deri më tani ka shpenzuar miliona euro për reformat në Maqedoni ku vetëm në pesë vitet e fundit ka ndarë 4 milionë euro për projekte në gjyqësor, përveç atyre për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut dhe anti -korrupsionit. Ky projekt praktikisht pasoi një projekt katërvjeçar prej 649.990 eurosh për zhvillimin e shtetit ligjor me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve të Prokurorisë Publike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit – ku Islam Abazi tani është personi i pare, i cili jo vetëm është aktor politik, por nuk ka dalë në opinion ndërsa rastet e prokurorisë special po rrëzohen njëri pas tjetrit.

Ambasada holandeze deri në vitin 2024 financon edhe një projekt rajonal prej gati dy milionë eurosh me të cilin duhet të forcohen kapacitetet për gjykime civile ndërsa deri vjet financoi një projekt me të cilin është dashur të kapërcehen “mangësitë në kulturën gjyqësore në Ballkanin Perëndimor”.

Ambasadori holandez një ditë më parë tha se  Këshilli Gjyqësor është kthyer në “një organ jolegjitim dhe se është shumë serioze dhe e dhimbshme ta shikosh”.

DIRK JAN KOP, AMBASSADOR I HOLANDËS

 “Në dy vitet e fundit kemi menduar se kemi parë progres, mentalitet më të mirë, emërim të pavarur të gjyqtarëve në gjykatë, por edhe tani shohim sërish se gjërat po përkeqësohen. Ne shohim shenja të ndikimit politik në përzgjedhjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar, shohim shenja të ndikimit politik në përzgjedhjen e kandidatëve në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, shohim shenja të ndikimit politik praktikisht në të gjitha gjykatat”.

Ai theksoi se arsyeja kryesore e vetme që Holanda pranoi anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe më pas Këshilli i BE-së u pajtua me të në mars të vitit 2020 ishe pasi parlamenti në vitin 2020 miratoi ligjin që garantonte shqyrtimin e rasteve të Prokurorisë Speciale. /SHENJA/

 

 

MARKETING