(VIDEO) Pllaka “Dardanus”, Prokuroria do të marrë masa nëse ka shkelje

(VIDEO) Pllaka “Dardanus”, Prokuroria do të marrë masa nëse ka shkelje

Drejtori i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skënder Asani deklaroi se pllakat që janë gjetur në lokalitetin arkeologjik “Shkupi antik” janë të rëndësisë së veçantë për trashëgiminë kulturore shqiptare. Ai i shqetësuar vlerëson se pikërisht këto dy pllaka kanë të bëjnë shumë me historikun e shqiptarëve të lashtë dhe se mund të kenë fatin e mijëra objekteve të tjera që janë zhdukur ose janë zhvendosur në muzetë e Shkupit, por që nuk janë prezantuar apo interpretuar shkencërisht. Asani kërkon nga Prokuroria Themelore Publike që të reagojnë dhe të marrin masa ndaj atyre që kanë lejuar ndërtime aty ku nuk duhet.

SKENDER ASANI, DREJTORI I INSTITUTIT PËR TRASHËGIMINË SHPIRTËRORE DHE KULTURORE TË SHQIPTARËVE,

“Prokuroria duhet të marrë masa dhe nuk duhet të pret letra të shkruara përderisa rasti është i publikuar dhe i qartë. Këto dy pllaka janë shumë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare”.

Ndërkohë, Biljana Arsovska nga prokuroria themelore publike Shkup, për TV SHENJA tha se prokuroria publike monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet dhe informacionet në lidhje me rastin e pllakatave të gjetura në lokalitetin arkeologjik “Shkupi antik” dhe se në rast se konstatohet se është bërë shkelje e ligjit prokuroria do të merr masa.

BILJANA ARSOVSKA, NGA PROKURORIA PUBLIKE SHKUP

“Prokuroria Publike është duke i ndjekur informacionet dhe në qoftë se do të konstatohen elemente të veprës penale atëherë do të veprojë. Të gjitha institucionet kompetente që në kuadër të veprimeve të tyre konstatojnë parregullsi të cilat tregojnë për dyshime për vepër penale kanë detyrimin t’i raportojnë organeve kompetente për ndjekje penale”.

Përndryshe, gjatë punimeve në lagjen Karposh të Shkupit, te varrezat e vjetra, kur po kryheshin gërmime arkeologjike janë zbuluar dy pllakat që datojnë nga shekulli VI dhe në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS. Në atë vend thuhet se është paraparë të ketë ndërtime. Sipas ekspertëve në këtë rast vazhdimi i punimeve mund të gjobitet dhe ndëshkohet me burg në bazë të ligjeve të Maqedonisë së Veriut. Pllaka me mbishkrimin DARDANUS tashmë është dërguar në Muzeun arkeologjik të Maqedonisë së Veriut.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING