(VIDEO) Pasholli: Shumica parlamentare po e shkel rregulloren e Kuvendit
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbana Pasholli, akuzoi shumicën parlamentare për shkelje të vazhdueshme të Rregullores së Kuvendit, duke thënë se mënyra se si po procedohen Ligjet për Arsimin e Lartë është vazhdimësi e përpjekjes së javës së kaluar për ta proceduar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në kundërshtim me procedurat parlamentare.
ARBANA PASHOLLI, DEPUTETE E BDI-SË
“Ky është një model i rrezikshëm veprimi. Javën e kaluar u tentua të anashkalohej procedura për një ligj me rëndësi kushtetuese. Sot po shohim të njëjtën qasje edhe ndaj ligjeve për arsimin e lartë. Kur një praktikë përsëritet, ajo nuk është më përjashtim, por rrezikon të shndërrohet në standard. Pikërisht këtë standard po kundërshtojmë”.
Sipas Pashollit, përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare dhe mbi kryetarin e Kuvendit, i cili, siç tha ajo, ka detyrimin të garantojë respektimin e Rregullores. Deputetja theksoi gjithashtu se projektligjet u tërhoqën dhe u ridorëzuan pa asnjë ndryshim në përmbajtje, duke ngritur dyshime për arsyen e këtij veprimi.
ARBANA PASHOLLI, DEPUTETE E BDI-SË
“Faktet janë të qarta. Projektligjet u ridorëzuan dhe vetëm pak minuta më pas u caktua mbledhja eKomisionit për Arsim. Deputetëve iu dorëzuan materialet, ndërsa Komisioni u thirr vetëm 14 minuta pas njoftimit. Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me nenin 126 të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit materialet dhe ftesa për mbledhjen e komisionit dorëzohen, si rregull, pesë ditë përpara. Vetëm në raste urgjente ky afat mund të shkurtohet dhe urgjenca duhet të arsyetohet me shkrim”.
Deputetja e BDI-së paralajmëroi se normalizimi i shkeljeve procedurale rrezikon funksionimin e Kuvendit dhe cilësinë e procesit ligjvënës. Ajo shtoi se BDI nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektimin e procedurave parlamentare.
Samir Mustafa /SHENJA/

