Tre etapa për ndryshim, Latif Mustafa: Ka sinjale për ndryshime në Serbi, por procesi do të jetë i gjatë
Në emisionin “Debat në Shenja”, analisti politik Latif Mustafa ka komentuar rezultatin zgjedhor në Serbi, duke e cilësuar atë si një tejkalim të madh të pritshmërive. Ai foli edhe për atmosferën gjatë procesit zgjedhor dhe mundësinë e një procesi të demokratizimit dhe të largimit të ndikimeve të trashëguara nga periudha e Millosheviqit.
“E kemi pritur një fitore, por deri këtu jo. Është pritur 127, 130, por kjo është vërtet një tejkalim i madh i pritshmërive dhe besoj se do të na duhet kohë për ta analizuar”, tha Mustafa.
Duke folur për atmosferën e së dielës, analisti e ka përshkruar atë si tejet entuziaste, duke përmendur kolonat e gjata të qytetarëve nga Prishtina dhe angazhimin e studentëve gjatë procesit zgjedhor.
“Ishte tepër ngazëllyese. Ka pasur kolona shumë të gjata nga Prishtina. Ka pasur një elan të madh”, u shpreh ai, duke shtuar se janë marrë më shumë vota sesa në vitin 2020.
I pyetur nëse ekziston mundësia që në Serbi të zhvillohet një proces i ngjashëm me denacionalizimin dhe demilloshevizmin, Mustafa ka vlerësuar se ndryshimet mund të ndodhin në tri etapa.
Sipas tij, etapa e parë lidhet me ndryshimin e mendësisë së elitës politike, ndërsa etapa e dytë përfshin nomenklaturën e pushtetit dhe administratën e stërngarkuar, të cilat, siç tha ai, duhet të pësojnë ndryshime.
Etapa e tretë, sipas Mustafës, lidhet me votuesit dhe shoqërinë, e cila ka dinamikat e veta, por që ndikohet edhe nga zhvillimet politike.
“Unë nuk do të flisja aq për një proces të denacionalizimit, sa për një demokratizim”, ka theksuar Mustafa, duke shtuar se ndryshimi i kursit të shtetit, administratës dhe strukturave të pushtetit do të kërkojë kohë.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se tashmë mund të flitet për sinjale pozitive në këtë drejtim. Si një prej tyre ka përmendur vazhdimin e bisedimeve në Bruksel, ndërsa ka theksuar edhe reagimin e shpejtë të Bashkimit Evropian, i cili ka rikujtuar detyrimet ndërkombëtare të Serbisë.
Sipas Mustafës, rezultatet e fundit mund të shërbejnë si pikënisje për ndryshime më të gjera politike dhe shoqërore, por transformimi i institucioneve dhe i strukturave të pushtetit mbetet një proces që kërkon kohë.

