(VIDEO) Pacientët me kancer herë me terapi, herë pa terapi
Pacientët me kancer sërisht kanë pasur mungesë të terapisë, prandaj sot protestuan para Klinikës së Onkologjisë. Ata kërkojnë zgjidhje për mungesën e vazhdueshme të terapisë sepse siç thonë pothuajse çdo muaj përballen me të njejtin problem.
Ana Marjanovq, organizata HEMA-ONKO
“Kërkuam buxhet më të madh dhe morëm buxhet më të madh. Tenderi u zhvillua në maj, kemi pasur disa ndërprerje në prokurimin e Onkologjisë gjatë gjithë verës. Në këtë pikë as nuk e dimë nëse Ministria e Shëndetësisë është vendi i duhur për t’u mbledhur, sepse kjo nuk është protestë dhe nuk do të jetë protestë, të paktën jo gjatë kësaj periudhe. Do ta them edhe një herë se prokurimi aktualisht është i përfunduar. Terapia e premtuar nga furnizuesit, domethënë, një pjesë e saj mbërriti dje, dhe pjesa tjetër do të mbërrijë në dy ditët e ardhshme”.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zëvendës ministri Jovica Andovski, zhvilloi sot takim pune me përfaqësuesit e Shoqatës HEMA-ONKO, si dhe me përfaqësueset e grupit Fluturat dhe në takim u shqyrtua edhe gjendja me terapinë onkologjike. Ministria bënë me dijse se është siguruar një rritje rekord e buxhetit për onkologjinë dhe se po punohet për përmirësimin e qasjes dhe vazhdimësisë së terapisë.
Ministria e Shëndetësisë
“Për barnat, furnizimi i të cilave ka pasur vonesa, tashmë janë ndërmarrë masa konkrete. Një pjesë e dërgesave është realizuar, për një pjesë janë lidhur kontrata të reja, ndërsa për barnat e tjera po sigurohen zgjidhje të përkohshme deri në normalizimin e plotë të gjendjes”.
Pasi para dy ditësh u paralajmërua protesta e pacientëve të Onkologjisë, një ditë më parë nga Klinika e Radioterapisë dhe Onkologjisë përmes një njoftimi në facebook thanë se kanë evidentuar vonesë të shkurtë, si rezultat i disa rrethanave objektive, siç janë rritja e konsumit, rritja e numrit të pacientëve, periudha midis dy prokurimeve publike, si dhe një mungesë të pjesshme tek distributorët. Edhe ata njoftuan se shumica e terapisë së nevojshme është siguruar dhe dorëzuar tashmë në Klinikë, ndërsa sasitë e mbetura pritet të jenë në dispozicion gjatë kësaj jave.
Emine Ismaili /SHENJA/

