Lista e Bashkuar Arabe do të mbështesë një qeveri të drejtuar nga Eisenkot në Izrael pa marrëveshje koalicioni
Lista e Bashkuar Arabe (Ra’am), një parti politike në Izrael e drejtuar nga Mansour Abbas, synon të mbështesë një qeveri të mundshme që do të formohet nga lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, edhe pa një marrëveshje koalicioni, transmeton Anadolu.
“Partia jonë, e cila ka tetë anëtarë në Knesset, do të mbështesë një qeveri të Gadi Eisenkot edhe nëse nuk nënshkruhet asnjë marrëveshje koalicioni”, citoi gazeta izraelite Haaretz një burim nga partia.
Partia nuk komentoi menjëherë raportimin, i cili erdhi një ditë pasi presidenti izraelit, Isaac Herzog, e ngarkoi Eisenkotit me detyrën për formimin e një qeverie të re.
Sipas raportit, kjo lëvizje synon të shmangë rrezikun që blloku i Eisenkotit të varet nga mbështetja e partisë ultra-ortodokse Judaizmi i Bashkuar i Torës.
Nga ana tjetër, shkruan gazeta, Lista e Përbashkët, një tjetër parti arabe në Izrael e drejtuar nga Yousef Jabareen, “nuk do të votojë në favor të një qeverie të drejtuar nga Eisenkot pa një marrëveshje, por nuk do të punojë për rrëzimin e saj”.
Dy partitë arabe fituan gjithsej 19 vende në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit, ku tetë vende i takuan Listës së Bashkuar Arabe dhe 11 Listës së Përbashkët.
Mansour Abbas më herët ka deklaruar se Lista e Bashkuar Arabe do të “veprojë në përputhje me vullnetin e publikut arab, i cili është ndryshimi i qeverisë së Benjamin Netanyahut”.
Partitë që kundërshtojnë Netanyahun fituan 67 vende në zgjedhje, ndërsa partitë që e mbështesin atë fituan 53 vende.
Shumica e liderëve të partive opozitare izraelite kundërshtojnë formimin e një qeverie që do të mbështetej te partitë arabe. Këto parti opozitare kanë gjithsej 48 vende, më pak se 61 vendet e nevojshme për të siguruar shumicën.

