Irani: Dy supercisterna nafte goditen nga mina detare në Ngushticën e Hormuzit
Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit deklaroi se dy supercisterna nafte kanë goditur në mina detare dhe kanë shpërthyer gjatë lundrimit në një rrugë të “paautorizuar” në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Dy anijet transportonin më shumë se 4 milionë fuçi naftë bruto dhe po digjeshin pranë bregut jugor të ngushticës, raportoi Agjencia Iraniane e Lajmeve të Studentëve (ISNA), duke cituar marinën iraniane. Sipas pretendimit të marinës, anijet po lundronin në një rrugë që nuk ishte autorizuar nga autoritetet iraniane. Irani njoftoi më 12 korrik se kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit, pasi SHBA-ja rifilloi sulmet ushtarake kundër vendit.
Teherani kishte paralajmëruar se do të godiste anijet që përdorin rrugë të tjera nga ato të përcaktuara nga autoritetet iraniane ose që përpiqen të kalojnë nëpër këtë ngushticë pa leje. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë e rëndësishme detare për furnizimin global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe. Washingtoni dhe Teherani nënshkruan memorandum mirëkuptimi më 18 qershor, por zbatimi i tij ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Përplasjet kanë shpërthyer herë pas here që nga korriku ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

