(VIDEO) Nesër zgjidhet qeveria 100 ditëshe e Xhaferit, Ahmeti thotë se është ditë historike

(VIDEO) Nesër zgjidhet qeveria 100 ditëshe e Xhaferit, Ahmeti thotë se është ditë historike

Mandatari për formimin e Qeverisë së ardhshme Talat Xhaferi, e ka dorëzuar në Kuvend propozim-programin dhe propozim-përbërjene Qeverisë së ardhëshme. Ndërsa të dielën, do të mbahet seancë në të cilën do të votohet Qeveria teknike, pas çka zyrtarisht Xhaferi do të bëhet kryeministër teknik i vendit për 100 ditë.

Kryeministri shqiptar sipas kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit, është ëndërr e bërë realitet dhe nesër shton ai është ditë historike për shqiptarët.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

“E nesër vëllezër e motra, nesër është ditë historike. Nesër, e diel, më 28 janar të motit 2024, zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për ti prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane”.

Të premten, Kuvendi konstatoi dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevskit dhe të kryeparlamentarit Talat Xhaferit, që i kishin dorëzuar një ditë më parë. Po ashtu, u plotësua edhe vendi i zbrazët e kryetarit të shtëpisë legjislative, pas largimit të Xhaferit. Deputët votuan Jovan Mitrevskin nga LSDM, për kryetar të ri të Parlamentit. E më pas, presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, i’a dorëzoi mandatin Xhaferit, për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Në përbërjen e re, zëvendës kryeministër i parë do të jetë Bojan Mariçiq, post që deri tani e mbante Artan Grubi. Opozita maqedonase VMRO-DPMNE, do të ketë dy ministra, të Ministrisë së Brendshme, për të cilin post është propozuar Pançe Toshkovski dhe ministër i Punës dhe Politikës Sociale është propozuar Gjoko Vellkovski. Ndërsa zëvendës ministra VMRO do të ketë në Financa, për të cilin post është propozuar Elena Petrova, në Administratë, Stefan Andonovski dhe në Bujqësi Cvetan Tripunovski.

Zëvendës ministrat plotësues nga radhët e LSDM-së, do të jenë, Mitko Bojmaxhaliev, në MPB, Viktorija Avramovska Mandiq në Ministrinë e Drejtësisë, Maja manoleva në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandar Bajdeski në Ministrinë e Administratës dhe Filip Nikollovski në Financa si dhe Miki Kërstev në Ministrinë e Vetëqeverisjes lokale. Poashtu zëvendës ministër në Politikën Sociale është propozuar Jovana Trençevska. Sipas Marrëveshjes së Përzhinos, në qeverinë teknike, ministrat dhe zëvendës ministrat e këtyre pesë ministrive kanë kopetenca të barabarta.

Të dielën përveç votimit të Qeverisë, duhet të konstatohet ndërprerja e mandatit të deputetit Talat Xhaferit dhe plotësimi i këtij vendi.

VMRO tashmë ka bërë të qartë se nuk do ta votoj Qeverinë teknike, pasi nuk e mbështesin Xhaferin për kryeministër teknik. Kurse opozita shqiptare e bojkoton Kuvendin përshkak se atyre nuk ju dha antar në KSHZ.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING