(VIDEO) Nesër protesta për emrat e rrugëve të Tetovës

(VIDEO) Nesër protesta për emrat e rrugëve të Tetovës

Pas reagimeve të shumta me anë të komunikatave ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkimi Demokratik për Integrim ka thirrur protestë për të premtën në orën 20:00  në sheshin e Tetovës. Protesta vjen pasi Gjykata shfuqizoi vendimin e vitit 2007 për emërtimin e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit me emra në gjuhën shqipe dhe të figurave historike shqiptare.

Bajram Rexhepi nga BDI ka njoftuar se ky vendim është marrë  mbrëmë, siç thotë pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës së tyre për seancë urgjente ku kërkuan rimiratim të vendimit për emrat e rrugëve dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.

BAJRAM REXHEPI, BDI

“Motra dhe vellëzër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte vetëm për të testuar durimin tonë dhe të jeni të sigurt, se nëse do të rrijmë të heshtur, vendimet e tyre të ardhshme do të jenë shumë më të rënda për ne, prandaj ne kemi vendosur mos të heshtim pas këtij shpërthimi racistë dhe antishqiptar. Unë ju ftoj të gjithëve, që ditën e premte në ora 20:00 të dalim sëbashku në marshin paqësor protestues, i cili do të fillojë nga sheshi Iliria dhe do të mbarojë para objektit të komunës së Tetovës”.

Kujtojmë se kjo valë reagimesh nga BDI ka filluar që para disa ditëve, kur Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Ndërkaq, në lidhje me këtë,  nga Komuna e Tetovës  kanë theksuar se vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në gjuhën shqipe, ka qenë gjysmak nga BDI, teksa tani premtojnë se do të regjistrohen sipas ligjit, ndonëse nuk kanë precizuar se kur do të ndodhë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING