(VIDEO) Në disa komuna do të ketë zgjedhje të parakohshme

(VIDEO) Në disa komuna do të ketë zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet parlamentare dhe verifikimi i mandateve të deputetëve një ditë më parë në Kuvend, do të shkaktoj disa ndryshime në pushtetin lokal. Gjegjësisht nëse një kryetar komune, ka fituar mandat deputeti, ai nuk mund të ushtroj të dy funksionet, por duhet të tërhiqet prej njërës pozitë. Kjo mund të shkaktoj edhe zgjedhje të parakohshme lokale në disa komuna. Rast i këtillë është me kryetarin e komunës së Sarajit Blerim Bexhetin. Ai në facebook shkroi se prej sot do të jetë zëri i qytetarëve në Kuvend, duke bërë me dije se dorëhiqet nga posti i kryetarit të Sarajit.

Blerim Bexheti, kryetar i Sarajit  Facebook

“Duke dashur të falenderoj gjithsecilin nga ju që më përkrahët në zgjedhjet lokale që të isha në krye të komunës së Sarajit dhe tani që t’ju përfaqësojë në Kuvend. Ju premtoj se do të jem zëri i vullnetit të popullit dhe duke ju dëshmuar se legjitimiteti i votës shqiptare i takon Frontit Europian”.

Nga radha e kryetarëve komunal, për deputet në përbërjen e re parlamentare është zgjedhur edhe Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe i komunës së Tetovës. Gjatë seancës konstituive, në të cilën u verifikuan mandatet e deputetëve, Kasami kishte dërguar deklaratë me shkrim, në të cilën kërkonte që të mos verifikohet mandati i tij, pasi zgjedh të ushtroj funksionin e kryetarit të komunës së Tetovës.

Bilall Kasami, kryetar i Tetovës

Unë, Bilal Kasami, si kandidat i zgjedhur për deputet në zonën e gjashtë zgjedhore, me ndërgjegje të pastër dhe mendje të shëndoshë, i pa detyruar nga askush, nën përgjegjësinë e plotë morale, materiale dhe penale, deklaroj se heq dorë nga mandati i deputetit dhe kërkoj që mandati im të mos verifikohet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Nga postet ministrore, përmendet emri i kryetarit të Gostivarit Arben Taravarit, gjegjësisht se ai do të jetë ministër i Shëndetësisë. Ai ka thënë se këto ditë do të vendos nëse do të jetë në krye të dikasterit të Shëndetësisë. Nëse ai pranon këtë, kjo nënkupton se edhe Gostivari do të jetë në listën e komunave që do të ketë zgjedhje të parakohshme lokale.

Në pushtetin ekzekutiv, si ministër përmendet edhe emri i kryetarit të komunës së Aerodromit Timço Mucunskit. Pra, zgjedhje mund të ketë edhe në këtë komunë, për të zgjedhur pasardhësin e Mucunskit.

Sipas Kodit Zgjedhor, funksioni i deputetit apo ministrit nuk përputhet me pozitën e kryetarit dhe anëtarit të këshillit në komunë dhe në Qytetin e Shkupit. Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, në rastin e përfundimit të mandatit të kryetarit të komunës, parasheh shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në atë komunë. Zgjedhjet e parakohshme për këshilltarë dhe kryetar komune nuk mbahen nëse zgjedhjet e rregullta janë të parapara në afat më të shkurtër se gjashtë muaj, por në këtë rast, zgjedhjet e rregullta lokale do të mbahen në tetor 2025.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING