(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, grupi i punës mblidhet të mërkurën

(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, grupi i punës mblidhet të mërkurën

Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese pritet që të mërkurën të mbajë mbledhjen e parë, konfirmojnë nga Ministria e Drejtësisë.

VMRO-DPMNE e cila nuk ka dërguar përfaqësuesin e saj dhe vazhdon t’i kundërshtojë ndryshimet  kushtetuese, ka akuzuar se ekspertët janë kuadër i BDI-së dhe LSDM-së. VMRO po ashtu akuzoi se njëra ndër ekspertet në grupin punues, është simpatizante e presidentit rus, Vladimir Putin. Sipas kësaj partie, bëhet fjalë për Jagoda Mitrevskën – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav.

MARIJA MITEVA, ZËDHËNËSE E ВМРО-SË

“Mitrevska është lavdëruar se ka marrë pjesë në fushata zgjedhore në Rusi, ndërsa në fotografi shihet se si fotografohet me mburrje para hapësirave dhe flamujve të partisë së Putinit. Një fotografi e tillë është publikuar në rrjetet sociale”.

Ndërkaq, lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski, pret përgjegjësi penale për ekspertët të cilët janë të kyçur në grupin punues për përcaktimin e amendamenteve kushtetuese, sepse, siç tha, puna e tyre është e kotë pasi do të marrin honorare nga qytetarët, ndërsa praktikisht nuk do të punojnë asgjë.

Grupi i ekspertëve, siç kanë informuar nga Ministria e Drejtësisë do të jetë në përbërje të Sali Muratit – ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska, ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani – ish-gjyqtar kushtetues dhe profesor i së Drejtës kushtetuese, Branko Naumovski- ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari – profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Ana Çupeska – profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Elena Mihajllova Stratillati – profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë”, Besa Arifi – profesoreshë në UEJL, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Sllav dhe Marija Pandevska – profesoreshë në Institutin e Historisë kombëtare.

Partitë për anëtarë të Grupit të punës kanë propozuar Cvetanka Ivanovën nga LSDM-ja, Arbër Ademi nga BDI-ja, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga PRSD-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja, Hrista Najdanov nga RDM-ja, Temellko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH-ja, Eran Kurtish nga Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.

Nga institucionet janë propozuar Aleksandar Spasov nga kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tillev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme. Lista e grupit të punës do të plotësohet në periudhën vijuese edhe me anëtarë të tjerë të cilët do të japin kontributin e tyre në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese. Ky trup punues është formuar nga Ministria e Drejtësisë, të cilës i është dhënë për detyrë nga Qeveria të përgatisë propozim-iniciativën e nevojës për ndryshime kushtetuese. Qeveria është propozuesi i ndryshimeve kushtetuese. Pasi të përgatiten ndryshimet, propozimi do të kalojë nëpër të gjitha trupat punues në korniza të Kuvendit.

Paralelisht do të mbahen edhe diskutime publike në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.  Për hapjen e Kushtetutës nevojitet që në Parlament të votojnë të paktën 80 deputetë. /SHENJA/

 

MARKETING