(VIDEO) Ndërtimi i qendrave të të dhënave, LSDM kërkon që Qeveria të publikojë detajet e negociatave me investitorët
Ndërtimi i mundshëm i data-qendrave në vend ka ndezur një debat të ri në skenën politike. LSDM-ja opozitare kërkon transparencë nga Qeveria dhe paralajmëron për rrezikun që, sipas saj, projektet e tilla mund të paraqesin për ujin dhe energjinë elektrike. Ata kërkojnë që Qeveria të bëjë publike detajet e negociatave me investitorët potencialë. Nga partia opozitare thonë se nuk janë kundër investimeve që sjellin vende pune dhe teknologji të reja, por kërkojnë të dihet se kush janë investitorët, çfarë kushtesh u ofron shteti dhe sa ujë e energji do të konsumojnë data-qendrat.
LSDM
“Me kë po negocion Mickoski për data-qendrat nën radar – kujt po ia dhuron ujin, tokën dhe energjinë elektrike? Mickoski nuk tregon sa energji elektrike dhe sa ujë do të konsumojnë data-qendrat. Maqedonia nuk ka burime për eksperimente pas dyerve të mbyllura. Sidomos jo me ujin.Në një shtet ku qytetarët tashmë përballen me probleme me furnizimin me ujë, lumenj të ndotur dhe raste helmimi në Gostivar, pushteti planifikon konsumatorë gjigantë të ujit, pa publikuar analizat bazë”.
Ndërkaq nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë LSDM-në për përhapje paniku dhe thonë se investimet në këtë sektor mund të sjellin zhvillim dhe modernizim. Mickoski theksoi se si politikan, ashtu edhe si profesor, dhe si inxhinier, qëndron pas ndërtimit të një industrie të re dhe se Qeveria do të marrë përsipër rrezikun institucional.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo është një demokraci tregu dhe një shoqëri tregu, energjia elektrike do të paguhet nga ai që e konsumon, me një çmim të rënë dakord në tregun e lirë. Sa i përket ftohjes, promovohen mesazhe që janë 20 vjeçare, dhe sot ekzistojnë teknologji moderne krejtësisht të ndryshme në varësi të qëllimit të këtyre qendrave të të dhënave. Tashmë kemi një qendër dytësore të të dhënave në rajonin e Prilepit, të ashtuquajturën “qendër të dhënash për rikuperim”. Përmes Axhendës së Reformës me BE-në, do të ndërtojmë një qendër të re kombëtare parësore të të dhënave që, përmes sistemit të ndërveprimit, do t’i bashkojë të gjitha institucionet në një vend dhe do të ofrojë mbrojtje kibernetike”.
Data-qendrat janë objekte të mëdha të mbushura me serverë dhe pajisje informatike, ku ruhen dhe përpunohen sasi të mëdha të të dhënave. Ato janë baza e shumë shërbimeve që përdorim çdo ditë – nga platformat online dhe shërbimet cloud, deri te sistemet bankare dhe shërbimet digjitale.
Serverët punojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe prodhojnë shumë nxehtësi, ndaj data-qendrat kanë nevojë për sisteme të fuqishme ftohjeje dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Disa sisteme ftohjeje përdorin edhe ujë, dhe pikërisht konsumi i mundshëm i ujit dhe energjisë është bërë një nga pikat kryesore të përplasjes politike. Nga njëra anë janë argumentet e qeverisë për investime, teknologji dhe zhvillim ekonomik, ndërsa nga ana tjetër pyetjet e opozitës për ndikimin mbi burimet ujore, energjinë elektrike, mjedisin përfitimin konkret dhe koston që do ta kenë ato për qytetarët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

