(VIDEO) Mickoski: Të rinjët dhe gratë në fokus të programit
“Sot nënshkruajmë një dokument, por obligimi ynë i vërtetë fillon nesër me zbatimin e tij, sepse puna e denjë nuk është privilegj, është e drejtë. Kështu është shprehur kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij sot gjatë ceremonisë në nënshkrimin e Programit Nacional për Punë të Dinjitetshme 2026-2030. Mickoski tha se qeveria synon një ekonomi që rritet.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Pikërisht për këtë arsye, nënshkrimin e sotëm të Programit Nacional për Punë të Denjë për periudhën 2026–2030 e konsideroj si një zotim të rëndësishëm të përbashkët. Detyrim i Qeverisë, i punëdhënësve, i sindikatave dhe i të gjitha institucioneve që mbajnë përgjegjësi për të ardhmen e ekonomisë së Maqedonisë. Qëllimi ynë është i qartë të jemi një vend ku puna respektohet, dija vlerësohet dhe puna siguron një jetë dinjitoze”.
Ndërkaq ministri i ekonomisë Besar Durmishi tha se suksesin e këtij programi do ta masin përmes përmirësimeve konkrete që do ti ndiejnë punëtorët dhe kompanitë, sepse qëllimi I tyre është që puna e denjë të bëhet realitet për çdo qytetar.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Me nënshkrimin e Programit Kombëtar për Punë Dinjitoze për periudhën 2026–2030 po konfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një treg pune më të drejtë, më konkurues dhe më gjithëpërfshirës. Për ne puna dinjitoze nuk është vetëm çështje punësimi. Kjo nënkupton të ardhura të drejta, kushte të sigurta pune, respektim të të drejtave të punëtorëve, siguri sociale dhe mundësi reale për avancim profesional”.
Drejtoresha e Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Qendrore dhe Lindore, Kler Harasti theksoi se bashkëpunimi i përbashkët është kyç për krijimin e vendeve të punës me cilësi më të lartë dhe për një treg pune më rezistent.
KLER HARASTI, DREJTORESHË E ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS PËR EVROPËN QENDRORE DHE LINDORE
“Me punë të përbashkët mund të krijojmë vende pune cilësore, të forcojmë institucionet e tregut të punës dhe të mbështesim zhvillimin e ndërmarrjeve të qëndrueshme”.
Sot, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizatat e punëdhënësve, sindikatat dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës nënshkruan Programin Kombëtar për Punë të Denjë për periudhën 2026–2030, duke konfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, vende pune cilësore dhe produktive, si dhe institucione më të fuqishme në tregun e punës.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

