(VIDEO) Ndahet nga jeta veteran i gazetarisë shqiptare, Nijazi Muhamedi
Është ndarë nga jeta, në moshën 79-vjeçare, veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Nijazi Muhamedi, një nga figurat më të shquara të medias shqiptare, i cili me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij la gjurmë të pashlyeshme në gazetari dhe publicistikë.
Për dekada me radhë, Nijazi Muhamedi ishte i angazhuar në media të ndryshme në gjuhën shqipe, duke dhënë një kontribut të çmuar në informimin profesional të publikut. Për një periudhë të gjatë ai ishte pjesë e Radio Televizionit të Maqedonisë, ku ushtroi me përgjegjësi detyrat e gazetarit, redaktorit dhe zëvendësdrejtorit, duke kontribuar në zhvillimin e gazetarisë profesionale në gjuhën shqipe dhe në afirmimin e standardeve të larta të këtij profesioni.
Pas botimit të Enciklopedisë së Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, e cila përmbante shumë qëndrime dhe përmbajtje të diskutueshme lidhur me shqiptarët, Nijazi Muhamedi iu përgjigj kësaj Akademie me botimin e veçantë “Maqedonia Shqiptare”, një vepër që përmbledh një numër të madh tekstesh dhe që për nga përmasa e serioziteti konsiderohet një punë kolosale, e denjë për t’u realizuar nga institucione të tëra.
Nijazi Muhamedi i qëndroi besnik deri në fund profesionit dhe angazhimit të tij intelektual. Ai ishte një njeri i palodhur, i parehatshëm përballë padrejtësive dhe i papajtueshëm me realitetin kur ai binte ndesh me të vërtetën, duke synuar vazhdimisht vlera më të larta si në gazetari, ashtu edhe në jetën shoqërore e në krijimtarinë publicistike. Nijazi Muhamedi ishte edhe publicist dhe autor i disa veprave, në të cilat trajtoi tema politike, historike dhe shoqërore që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. /SHENJA/

