OKB-ja: Izraeli po i shtyn palestinezët drejt zonave gjithnjë e më të vogla në Gaza
Tkurrja e pandërprerë e hapësirës ku mund të jetojnë palestinezët ka shkaktuar një “makth” të ri të zhvendosjes në Gaza, i cili është njëkohësisht “akut dhe kronik”, paralajmëroi të premten Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) tha se forcat izraelite po vazhdojnë t’i shtyjnë palestinezët drejt zonave gjithnjë e më të vogla të Rripit të Gazës, ndërkohë që shkatërrojnë infrastrukturën civile dhe sulmojnë vendstrehimet e personave të zhvendosur, “mes shqetësimeve për spastrimin etnik”.
Ajo tha se tkurrja e pandërprerë e hapësirës ka shkaktuar zhvendosje të reja në zonat pranë vijës së demarkacionit të ashtuquajtur “vija e verdhë”.
“Gjatë dy javëve të fundit, OHCHR-ja ka dokumentuar zgjerimin drejt perëndimit të zonave të dislokimit ushtarak izraelit në Al-Shujaiyeh, në Qytetin e Gazës, si dhe në tri lokacione në Gazën Qendrore – në lindje të Al-Bureijit, në lindje të Deir al-Balahut dhe në lindje të Al-Maghazit”, thuhet në deklaratë.
OHCHR-ja tha se ka marrë raportime se më 25 tetor, një dron izraelit ka hedhur municione mbi tendat ku strehoheshin familjet e zhvendosura në kryqëzimin Al-Shujaiyeh, pranë vijës së verdhë, dhe se zjarri i shkaktuar si pasojë ka zgjatur pesë orë.
Si pasojë, 200 familje, me gjithsej 800 persona – shumica gra, fëmijë dhe të moshuar – janë zhvendosur, sipas Ministrisë palestineze të Punëve Publike dhe Strehimit.
“Makthi i zhvendosjes në Gaza është njëkohësisht akut dhe kronik”, tha Ajith Sunghay, shefi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Territorin e Pushtuar Palestinez.
Sunghay shtoi: “Ata që u zhvendosën para shpalljes së armëpushimit kanë pak ose aspak mundësi të kthehen në zonat nga të cilat u larguan, shumica e të cilave janë të paarritshme, pasi ndodhen përtej të ashtuquajturës vijë e verdhë. Ndërkohë, ata vazhdojnë të zhvendosen vazhdimisht”.
OHCHR-ja përsëriti se Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet t’i japë fund transferimit të detyruar të palestinezëve brenda Rripit të Gazës, duke theksuar se kjo përbën krim lufte dhe mund të përbëjë gjithashtu krim kundër njerëzimit.
“Gjithashtu, Izraeli duhet të lehtësojë kthimin e sigurt dhe dinjitoz të palestinezëve në shtëpitë dhe zonat nga të cilat janë larguar”, theksoi ajo.
OHCHR-ja paralajmëroi gjithashtu se forcat izraelite duket se po e trajtojnë vijën e verdhë si një “zonë vrasjeje”, duke i penguar palestinezët të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre në anën tjetër të saj.
“Duhet t’i jepet fund kësaj vuajtjeje. Ky është viti i katërt i zhvendosjes për shumicën e palestinezëve në Gaza, dimri i katërt në tenda tepër të dobëta për t’u bërë ballë shiut, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe ata vazhdojnë të jenë nën zjarr”, shtoi Sunghay.

