(VIDEO) Ministrja e Mbrojtjes: Armët e vjetra të prodhimit sovjetik dhe jugosllav do të zëvendësohen me armë të reja
Ministra e Mbrojtjes së Republikës të Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, tha se në dikasterin që ajo udhëheqë nuk i ndan të punësuarit në baza etnike. Ministrja, sqaroi se në ushtri ka shumë pozita udhëheqëse që u takojnë bashkësive të tjera etnike, të cilët janë të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar në punën e tyre.
SLLAVJANKA PETROVSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Kjo është për t’u përshëndetur, pasi kjo e bën ushtrinë tonë më të fortë. Unë nuk i shikoj të punësuarit në baza etnike, po se a mund të kryejnë një detyrë të caktuar apo mund t’u bëjnë ballë sfidave”
Ajo në “Intervistë në Shenja” foli edhe për luftën në Ukrainë. Ministrja Pertovska tha se anëtarët e NATO-s i vlerësojnë përpjekjet e vendit tonë për të marrë vendime të cilat do t’i japin mbështetje Ukrainës në luftën me Rusinë.
SLLAVJANKA PETROVSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Kjo tregon se shteti ynë është e gatshme të marrë vendime, atëherë kur janë të nevojshme dhe kuptohet t’i miratojë në një procedurë e cila nuk do të dëmtojë proceset brenda shtetit dhe as kapacitetet e ushtrisë. Unë si ministre dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kemi obligim moral dhe ligjor që të garantojmë kushte më të mira për ushtrinë tonë”
Petrovska shtoi se opozita e ka sulmuar atë në momentin kur ka filluar t’i jap mbështetje Ukrainës. “Është evidente se që nga fillimi kur unë mora detyrën e ministres dhe kur fillova t’i jap deklaratat e para, në mbështetje të Ukrainës, filluan sulmet”, tha më tej ministrja e Mbrojtjes.
Linda Ebibi /SHENJA/