(VIDEO) Meidani: Mendova se po sillja Shqipërinë në Shkup, por atë e gjeta këtu
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup ka organizuar një pritje solemne me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, politike dhe shoqërore, diplomatë, si dhe personalitete të jetës publike. Në një atmosferë festive, të pranishmit shënuan këtë datë të rëndësishme historike, e cila simbolizon shpalljen e pavarësisë dhe përpjekjet e brezave për liri e shtetformim. Festa shërbeu gjithashtu si një mundësi për të kujtuar rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Të pranishmëve iu drejtua me një fjalim lamtumire edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, të cilit po i përfundon mandati diplomatik. Në fjalën e tij, Meidani ndau edhe një reflektim nga përvoja e tij në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se fillimisht kishte menduar se në Shkup po sillte Shqipërinë, por gjatë qëndrimit të tij kuptoi se Shqipërinë e kishte gjetur pikërisht aty.
SINKRON: DENION MEIDANI, AMBASADOR I SHQIPËRISË
“E gjeta te fëmijët që ma dhuruan flamurin në vizatimet e tyre.E gjeta në rrugët tuaja, të veshura kuq e zi në çdo festë tonën.E gjeta te mësuesja që e nis çdo mëngjes orën e mësimit në shqip. Të dashur veteranë, ju e mbajtët këtë flamur, kur për ta mbajtur duhej guxim. Të dashur të rinj, juve ju duhet vetëm ta doni. Ata e ruajtën që të mos binte. Ju çojeni aty ku ata nuk arritën dot”.
Meidani tha se Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Sips tij, suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit, ndërsa theksoi se fqinjësia mes dy vendeve, është një derë që rri hapur. Megjithatë, ai përmendi edhe disa çështje dhe marrëveshje që i kanë realizuar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
SINKRON: DENION MEIDANI, AMBASADOR I SHQIPËRISË
“Unë, nga kjo përvojë, marr me vete shumë. Marr me vete kufirin. Aty ku dikur ndaleshim dy herë, punuam që të ndalemi një herë, me „One Stop Shop” në të gjitha pikat kufitare mes vendeve tona. Dhe besoj se do të vijë dita kur në atë kufi nuk do të ndalemi më fare. Marr me vete Abetaren e unifikuar, që shkoi cep më cep, shkollë më shkollë, dorë më dorë.
Me një dozë emocionesh dhe nostalgjie, ambasadori Meidani e përshkroi mandatin e tij diplomatik si një përvojë me të gjitha shijet, nga momentet e bukura e deri te sfidat, por që, siç tha, nuk do ta ndërronte me asnjë tjetër. Ai theksoi se Shkupin do ta ruajë gjithmonë në zemër, për gjithçka që i ka dhënë gjatë qëndrimit të tij.
Samir Mustafa/ SHENJA

