(VIDEO) LSDM: Qytetarët po vuajnë nga politikat e Qeverisë Mickoski
“Gjithçka është më e shtrenjtë, çmimet janë tashmë në tavan. Qytetarët po paguajnë shumë për paaftësinë e qeverisë së Mickoskit”, kështu deklaron anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mladenovska në një konferencë për mediat, nga ku paralajmëroi se rritja e re e çmimeve të naftës do të sjellë edhe një valë të re rritjesh të çmimeve për ushqimet dhe shërbimet e tjera. Sipas saj, politikat e Mickoskit reduktohen vetëm në njoftime, improvizime dhe reagime të vonuara.
Renata Mladenovska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së
“Në vend që të merrte një paketë masash sistemike, Mickoski doli me një njoftim të ri – jo për një paketë të plotë masash, por vetëm për njëfarë uljeje të akcizave. Dhe përsëri me vonesë, pasi çmimet e karburantit janë rritur tashmë dhe përsëri nuk ka masa specifike, të synuara për qytetarët. Sapo çmimet rriten, ato nuk kthehen më pas. Politikat e Mickoskit reduktohen vetëm në njoftime, improvizime dhe reagime të vonuara. Ky është modeli sipas të cilit kjo qeveri ka vepruar për dy vjet”.
Ajo theksoi se për muaj të tërë, LSDM ka kërkuar dhe ofruar masa specifike për të mbrojtur standardin e jetesës por se Mickoski dhe qeveria e tij i hodhën poshtë të gjitha këto propozime. Sipas saj, ata së pari i injorojnë problemet, pastaj lejojnë që kriza të shkatërrojë standardet e jetesës së qytetarëve.
Renata Mladenovska, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së
“Edhe kur dëmi është bërë, qeveria del me masa të vonuara dhe gjysmë të gatshme që nuk sjellin asnjë lehtësim për qytetarët. Qytetarët kanë paguar çmimin për paaftësinë e kësaj qeverie për dy vjet – me xhepa dhe frigoriferë bosh. Ne propozuam uljen e TVSH-së për ushqimet, heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, uljen e akcizave, ngrirjen e marzheve, rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe masa sistemike për të mbrojtur fuqinë blerëse. Mickoski dhe qeveria e tij i hodhën poshtë të gjitha këto propozime”.
Ajo deklaroi se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, dhe populli mbijeton me një pagë që vlen gjithnjë e më pak çdo muaj. Shporta e konsumatorit thyen rekorde të reja çdo muaj, nga ku ajo theksoi se nevojiten pothuajse 70,000 denarë në muaj për të mbuluar shpenzimet themelore të jetesës dhe se kjo qeveri po e çon vendin drejt rrënimit ekonomik dhe social, dhe qytetarët drejt varfërisë gjithnjë e më të thellë.
Anida Murati /SHENJA/

