Kreu i “Demokratëve” izraelitë takohet me liderin partisë arabe në përpjekje për të formuar “qeveri ndryshimi”

Kreu i “Demokratëve” izraelitë takohet me liderin partisë arabe në përpjekje për të formuar “qeveri ndryshimi”

Lideri i partisë opozitare izraelite Demokratët, Yair Golan, tha të enjten se është takuar me liderin e Listës së Bashkuar Arabe (Ra’am), Mansour Abbas, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar formimin e një qeverie që do të zëvendësonte administratën e kryeministrit Benjamin Netanyahu pas zgjedhjeve për Knessetin, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Në një postim në platformën sociale amerikane X, të shoqëruar me një fotografi me Abbasin, Golan tha se takimi u mbajt “për të nxitur formimin e shpejtë të një qeverie ndryshimi dhe për të realizuar vullnetin e votuesit izraelit”.

Ai nuk bëri të ditur se ku u zhvillua takimi.

“Është koha për veprim. Përgjegjësia jonë është të mos e humbim mundësinë për ndryshim”, tha Golan.

Takimi zhvillohet në një kohë kur liderët e opozitës izraelite po përpiqen të formojnë një qeveri të re, pasi blloku i Netanyahut nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare të nevojshme për të qeverisur.

Gazeta Israel Hayom raportoi të enjten se Golan ka zhvilluar gjithashtu takime me liderin e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, dhe liderin e opozitës, Yair Lapid, në kuadër të koordinimit politik pas zgjedhjeve.

Golan u ka bërë thirrje liderëve të bllokut opozitar të Ndryshimit që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre lidhur me bashkëpunimin me partitë arabe, në përpjekje për të gjetur një rrugë drejt formimit të qeverisë.

Ai më parë kishte shprehur mbështetje për përfshirjen e Ra’am në një qeveri të ardhshme, ndërsa lideri i partisë Yisrael Beiteinu, Avigdor Lieberman, kundërshton formimin e një koalicioni me partitë arabe.

Transmetuesi publik izraelit KAN njoftoi të enjten se numërimi i votave ka përfunduar, me bllokun e Netanyahut që ka siguruar 53 vende, blloku i Ndryshimit 48 dhe partitë arabe 19 vende në Knessetin prej 120 anëtarësh.

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen të mërkurën e ardhshme, pas përfundimit të procedurave të verifikimit.

Ra’am, e udhëhequr nga Abbas, ka fituar tetë vende, ndërsa Lista e Përbashkët 11.

Së bashku, blloku i Ndryshimit dhe partitë arabe kanë 67 vende, por partitë arabe nuk janë zyrtarisht pjesë e bllokut të Ndryshimit. Kjo bën që mundësia e formimit të një qeverie alternative të varet nga mirëkuptimet politike mes partive.

MARKETING