(VIDEO) Ligji për Qeveri Teknike, komisioni juridiko ligjvënës refuzoi amendamentet e opozitës
Pa shumë zhurmë dhe në mungesë të debatit të mirëfilltë, Komisioni Juridiko-ligjvënës hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Fronti Europian kundër nevojës për heqjen e Qeverisë teknike.
Salih Murat ishte deputeti i vetëm i opozitës që mori pjesë në këtë seancë, i cili në fjalimin e tij arsyetoi amendamentet. Ai tha se Qeveria teknike duhet të hiqet me pëlqim edhe të ndërkombëtarëve sepse në atë formë e njëjta ka lindur.
SALIH MURAT – DEPUTET I FRONTIT EUROPIAN
“Ku janë mesazhet dhe qëndrimet, le të dalin në publik, të thoni, jemi drejtuar tek BE-ja dhe ky është qëndrimi i tyre, a më kuptoni, nuk mjaftojnë vetëm bisedat telefonike. Ku janë qëndrimet që konfirmojnë se bashkësia ndërkombëtare qëndron pas kësaj iniciative dhe pse bashkësia ndërkombëtare, nuk i ka kontaktuar subjektet tjera që ishin pjesë dhe nënshkrues të kësaj marrëveshje. Marrëveshja e Përzhinos nuk është marrëveshje e brendshme politike, ajo u arrit me ndërmjetësim direkt të BE-së. Raportet e BE-së dëshmojnë se kemi vështirësi dhe mosbesim në proceset zgjedhore”.
Duke parë se është i vetëm dhe do të mbivotohet, pas fjalimit, edhe ai e lëshoi sallën.
Pas largimit të deputetit të vetëm opozitar, në sallë mbetën vetëm deputetët e shumicës parlamentare të cilët me shumicë votash hodhën poshtë 15 amendamentet e dorëzuara nga opozita
Ndonëse asnjë deputet i LSDM-së nuk mori pjesë në komision, nga selia e partisë, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, tregoi arsyet se pse ligji për Qeveri teknike nuk duhet të zhbëhet.
VENKO FILIPÇE – KRYETAR I LSDM-SË
“E argumentojmë se pse Qeveria e Përzhinos duhet të mbetet. Presion mbi sistemin e drejtësisë, ligji për polici që do ta partizojë në tërësi policinë, “Safe City”, mbi të cilin kemi dyshime serioze mbi historinë dhe keqpërdorimin e sistemit dhe servisi nacional, RTVM-ja, ku për drejtor është zgjedhur, miku i kryeministrit, pa prapavi profesionale. Pyetja kryesore, pse insistojnë që të ndërpritet Qeveria e Përzhinos, në këtë mënyrë, nëse e njëjta është sjellë me konsenzus, për këtë duhet të përgjigjet kryeministri”.
Ai përsëriti qëndrimin se nëse ligji në fjal kalon pa konsensus, LSDM-ja do të tërhiqet nga grupi i punës për kodin e ri zgjedhor të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë. Pasi përfundoi debati në Kuvend, Komisioni Juridio-ligjvënës e procedoi për në seancë plenare ligjin për ndërprerje të Qeverisë teknike. Kërkesa e deputetëve të shumicës është që e njëjta të mos të zhbëhet menjëherë, por ligji të hyjë në fuqi pas ciklit të ardhshëm zgjedhor.
Mevludin Imeri /SHENJA/

