(VIDEO) Kuvend, vazhdon debati për shkarkimin e tre ministrave të Alternativës

(VIDEO) Kuvend, vazhdon debati për shkarkimin e tre ministrave të Alternativës

Në Kuvend sot vazhdon seanca për rikonstruimin e Qeverisë, e cila ka nisur pasditen e djeshme, në të cilën po debatohet për shkarkimin e tre ministrave nga radhët e partisë Alternativa. Deputetët e VMRO-DPMNE-së i janë përgjigjur komenteve të deputetëve të Alternativës. Dafina Stojanovska i kërkoi Alternativës që t’i bashkohet VMRO-DPMNE-së për të qenë një opozitë e fortë. Stojanovska shtoi se partia e Afrim Gashit nuk duhet të jetë gjithmonë “alternativë”, por duhet të kalojë në ofensivë.

DAFINA STOJANOVSKA DEPUTETE E VMRO-DPMNE-SË
“Thonë se asnjëherë nuk është vonë për vendimin e vërtetë, shpresoj që pas 15 muajve po e merrni vendimin e duhur, por mos u bëni edhe këtë herë alternativë por ofensivë. Ofensiva bëhet nga ky Kuvend me një opozitë të fortë, të cilës shpresoj t’i bashkoheni me sinqeritet”

Në anën tjetër, deputeti i LSDM-së Mile Taleski, deklaroi se VMRO-DPMNE është definicioni i shpenzimit shpërdorues të parave të qytetarëve, kurse “foleja e hajdutëve-Pallati i Bardhë” i kësaj partie është ndërtuar me keqpërdorimin e parave të qytetarëve.

MILE TALESKI, DEPUTETI I LSDM-SË

“VMRO-DPMNE është një parti që ka 400 zyrtarë të akuzuar partiakë të cilët janë akuzuar për krime dhe shpërdorim detyre për periudhën që kanë qenë në pushtet. Kështu i keni shpenzuar paratë e qytetarëve, për të cilat ka rreth 40 rrëfime të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së. Për të gjitha këto ka aktgjykime me gjithsej mbi 150 vjet burg, edhe për zyrtarë të VMRO-DPMNE-së”.

Sipas planit të koalicionit qeveritar, për anëtarë të rinj të qeverisë duhet të zgjidhen:

Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë, Fatmir Mexhiti -Ministër i Shëndetësisë;
Azir Aliu -Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Kaja Shukova  – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Tiron Jajaga  – Zëvendësministër i Mbrojtjes, Vjollca Berisha  – Zëvendësministre e Bujqësisë, Viktorija Avramovska-Mandiq – Zëvendësministre e Drejtësisë,
Maja Manoleva – Zëvendësministre e Shëndetësisë, Agim Nuhiu  – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING