(VIDEO) Kuvend, po debatohet për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës

(VIDEO) Kuvend, po debatohet për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës

Në kuvend po vazhdon debate për shkarkimin e ministrave të Alternativës. Në ditën e pestë të kësaj seance, filloi debat për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.

Debati për shkarkim të ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali përfundoi të enjten në mbrëmje, por për shkak të mungesës së kuorumit votimi për shkarkimin e tij nuk ndodhi. Vazhdimi i sotëm i seancës së 104 sërish filloi pa numër të mjaftueshëm të deputetëve për të votuar për shkarkim të ministrit Sali.

Për të debatuar rreth shkarkimit të ministrit Aliti janë paraqitur 34 deputetë.  Vetë Aliti nuk e shfrytëzoi mundësinë që të prononcohet rreth propozimit për shkarkimin e tij.

Deputetja e VMRO-së Eli Panova tha se Amirim Aliti do të mbahet mend për balancuesin, sepse siç tha, Panova, ai shpiku një mënyrë për të punësuar sa më shumë njerëz të tij në administratën shtetërore.

ELI PANOVA-DEPUTETE E VMRO-DPMNE

“A e dini se për çfarë mbahet mend ky ministër Aliti, për balancuesin, për atë se shpiku një mënyrë për të punësuar sa më shumë njerëz të tij në administratën shtetërore. Edhe pas kësaj, shteti nuk kishte para për shpenzimet e shërbimit, për pensionet. A janë profesionistë dhe sa janë  kompetentë punonjësit në administratën publike? Çfarë kontributi do të japin për institucionet në të cilat punojnë. A do të sjellin ata  një jetë më të mirë për qytetarët? Megjithatë, dikush do të mburret me shifra dhe do të konkurrojë për poste ministrore. Për këtë dikush duhet të ndalohet”.

Ndërkaq, deputetja e LSDM-së, Lidija Tasevska, ka reaguar  ndaj Panovës. Ajo tha se deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova dhe VMRO-DPMNE , i kanë fyer punonjësit e administratës shtetërore dhe sipas saj, ata duhet menjëherë t’u kërkojnë falje të gjithë punëtorëve në administratën publike.

LIDIJA TASEVSKA-DEPUTETE E LSDM-së

 “Të ofendosh punonjësit e administratës është vërtet e turpshme. Nga opozita, VMRO-DPMNE tregon se çfarë mendon për ta, për punëtorët, për qytetarët. Na është e qartë se për VMRO-DPMNE-në populli është vetëm numër për vota, reklamë për numra dhe asgjë tjetër”

Përveç Salit dhe Alitit, duhet të shkarkohet edhe Xhemail Çupi nga resori për diasporë. Pasi të përfundojë debati dhe votimi për shkarkimin e tre ministrave të Alternativës, kuvendi do të vazhdojë me debatin për emërimin e 5 ministrave të rinj, tre prej të cilëve janë nga Aleanca për Shqiptarët, parti kjo që bëri marrëveshje me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për të hyrë në qeveri.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING