(VIDEO) Kufizohet balancuesi, më shumë maqedonas e më pak shqiptarë në administratë
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, ka njoftuar se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjetit për punësim sipas përkatësisë etnike në institucionet shtetërore, me çka rritet numri për punësim i maqedonasve, ndërsa ulet numri i shqiptarëve. Në llogaritjen e re për punësimet është përfshirë vetëm numri i popullsisë rezidente sipas Regjistrimit të fundit. Llogaritja e mëparshme, në të cilën sipas Minçevit nuk ishte respektuar Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik, është nga viti 2022 kur ministër ishte Admirim Aliti.
GORAN MINÇEV,MINISTËR I ADMINISTRATËS PUBLIKE
“Ndryshimi i përqindjeve të mjetit balancues është bërë ekskluzivisht në përputhje me Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, i cili më parë nuk ishte respektuar. Kjo do të thotë se në llogaritjen e balancuesit si pjesë e planeve vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik do të përfshihet vetëm numri i popullsisë rezidente, ndërsa popullsia jorezidente është përjashtuar nga llogaritja e balancuesit”.
Ndërkaq, në lidhje me këtë ndryshim, ka reagur nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, i cili në rrjetin e tij social ka shkruar se “ Kjo që ka ndodh, nënkupton mijëra shqiptar më pak në administratë, gjykata e prokurori”.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Prej fillimi e kemi thënë, kjo Qeveri monoetnike e pa legjitimitet ndëretnik ka për qëllim demontimin e të gjitha të arriturave prej vitit 2001 e këndej, kuptohet duke shfrytëzuar si instrument listën e dytë të VMRO-s, ekipin B të saj-ВРЕДИ! Kjo që ka ndodh, nënkupton mijëra shqiptar më pak në administratë, gjykata e prokurori!
Sipas llogaritjeve të reja në planet vjetore për punësim në institucionet e sektorit publik, përqindjet janë korrigjuar: maqedonasit nga 54.21% janë ngritur në 58.44%, shqiptarët nga 29.52% kanë rnënë në 24.30%, turqit nga 3.98% në 3.86%, romët nga 2.34% në 2.53%, serbët nga 1.18% në 1.30% dhe vllehët nga 0.44% në 0.47%.
Samir Mustafa /SHENJA/