(VIDEO) Formohet Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve
Maqedonia e Veriut po vendos mekanizma të rinj institucionalë për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave, pasi është konstituuar Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, ndërsa në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë vendosur pika nacionale dhe lokale të kontaktit në të gjithë sektorët për punë të brendshme. Këto mekanizma synojnë të mundësojnë reagim më të shpejtë ndaj kërcënimeve, presioneve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe ato në hapësirën digjitale. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se sulmi ndaj një gazetari për shkak të punës së tij profesionale është njëkohësisht sulm ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Mbrojtja e gazetarëve nuk mund të jetë përgjegjësi e vetëm një institucioni, por kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet policisë, prokurorisë, gjyqësorit, organizatave të gazetarëve dhe subjekteve të tjera kompetente. MPB-ja do të mbetet partner aktiv në avancimin e sigurisë së profesionit të gazetarisë dhe lirive të mediave”.
Në emër të Prokurorisë Publike, foli edhe Kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Iskra Haxhi Vasileva, e cila vlerësoi se formimi i Komitetit Nacional paraqet edhe një hap të rëndësishëm në avancimin e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.
ISKRA HAXHI VASILEVA, KRYEPROKURORE E KRIMEVE
“Askush nuk guxon ta rrezikojë të drejtën e publikut për t’u informuar në kohë dhe saktë, ndërsa ata që do të tentojnë ta bëjnë këtë duhet të identifikohen dhe të sanksionohen”.
Ndërkaq, udhëheqësja e fushatës së Këshillit të Evropës “Gazetarët kanë rëndësi”, Rodika Çokina, theksoi se siguria e gazetarëve nuk është vetëm çështje e një grupi profesional, por çështje e demokracisë, besimit publik dhe sundimit të ligjit.
RODIKA ÇOKINA, UDHEQËSE E FUSAHTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS
“Kërcënimi ndaj një gazetari nuk është kërcënim vetëm ndaj një personi. Ai mund t’i dekurajojë edhe gazetarët e tjerë që të hulumtojnë, të shtrojnë pyetje të vështira dhe të raportojnë për tema të ndjeshme. Kur gazetarët kanë frikë të raportojnë, publiku e humb të drejtën për t’u informuar”.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Mlladen Çadikovski, së bashku me kryetarin e Sindikatës së Gazetarëve, Pavle Belovski, përshëndetën këtë iniciativë. Ata theksuan se të dyja organizatat do të vazhdojnë të jenë zë kritik ndaj institucioneve dhe përsëri në vazhdimësi do të kërkojnë siguri e mbrojtje për gazetarët.
Samir Mustafa /SHENJA/

