(VIDEO) Kthimi i deputetëve nga kufiri i Shqipërisë, Hita: Problemi ishte personi i katërt!

(VIDEO) Kthimi i deputetëve nga kufiri i Shqipërisë, Hita: Problemi ishte personi i katërt!

Panikë e panevojshme, apo situatë e tensionuar e raporteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë?!

Sipas autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, situata e krijuar një ditë më parë me zyrtarët e partisë VLEN, nuk është ndonjë rast i izoluar dhe nuk ka vend për panikë. Sipa drejtorit të përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Madhor Skender Hita, problemi ka qenë te personi i katërt që ka shoqëruar zyrtarët politik pasi ka pasur probleme me ligjin dhe pasi ai nuk është lejuar të kaloj kufirin, tre zyrtarët kanë refuzuar të kalojnë kufirin dhe janë kthyer për në Maqedoni.

Madhor Skender Hita, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë   

“Një person i shoqëruar së bashku me ta, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtoj drejtë R. Shqipërisë. Në kuadër të kësaj, 4 personat nuk kanë pranuar të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në RMV. Pra, nuk është rast i veçuar, apo i izoluar, por është puna përditë e policisë kufitare. Ne zakonisht, mesatarisht në vit, përgjatë vitit 2025 kemi kthyer edhe persona tjerë, 625 raste, edhe gjatë këtij 6 mujori të parë kemi të evidentuar dhe ktyer edhe persona të tjerë, 425 raste dhe nuk ka vend për panik”.

Ndërkohë, paraprakisht kryeparlamentari Afrim Gashti shprehi shqetësimin e tij për situatën e krijuar, në pikën kufitare Qaf Thanë.  Sipas Gashit deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues, prandaj siç shprehet çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit.

Afrim Gashi, kryeparlamentar

“Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent, i cili do t’i shërbejë jo vetëm zbardhjes së rrethanave të këtij rasti, por edhe ruajtjes së besimit reciprok, respektit institucional dhe frymës së bashkëpunimit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet tona”.

Një ditë më parë, koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, thanë se u ndaluan rreth një orë në pikën kufitare me Shqipërinë. Më vonë përmes një reagimi të gjatë në facebook Qoku u ankua për pritje rreth një orëshe në kufi, ndërsa rënditi arsyet eventuale për ndalesën e tyre, ndër to, mbështetja e tij për protestat në Shqipëri.  Ndërsa situatën në kufi e quajti absurde. Edhe partia VLEN kërkoi sqarim nga autoritet e Shqipërisë për këtë ndodhi.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING