(VIDEO) Krimi do të ndiqet nga djem, vajza e gra të politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve!

(VIDEO) Krimi do të ndiqet nga djem, vajza e gra të politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve!

Rreth 18 për qind e kandidatëve, të cilët do të jenë gjykatës dhe prokurorë të ardhshëm, janë djem, vajza, nuse dhe gra të politikanëve aktualë, gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë dhe atyre të mëparshëm. Në listën e publikuar nga Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë “Pavel Shatev”, vetëm njëri nga 58 kandidatët nuk e ka kaluar provimin përfundimtar.  Në listë ka shumë emra të njohur, konkretisht emra fëmijësh të politikanëve dhe atyre që bëjnë drejtësinë në vend.

Më i spikatur është emri i Albulena Abazit, bashkëshortes së Islam Abazit – Shefit të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në listë gjendet edhe Biljana Smaçoska, vajza e Gordana Smaçoska – një prokurore në pension që ndiqte krimin e organizuar.  Dragan Josifovski, djali i Elizabeta Josifovskës – ish-prokurore në Prokurorinë Speciale, tani në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, ka qenë pak më i dobët në njohuri, por është ai do të jetë gjykatës apo prokuror i ardhshëm.

Edhe gjykatësit do të kenë pasardhësit e tyre në sistemin e drejtësisë.  Akademinë e ka përfunduar me sukses edhe Kiril Georgiev, djali i gjykatëses Naqe Georgieva – gjykatëse në Gjykatën Supreme. Pas tij është regjistruar Zoran Zdraev, djali i Kiro Zdraevit – ish-kryetar i Këshillit Gjyqësor, i cili do të duhet të ndjekë apo gjykojë vepra penale. Në listë është edhe Jetmir Bexheti, djali i gjykatësit të Apelit në Shkup, Enver Bexheti, i cili ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka rrëzuar aktgjykimin për përgjimin masiv në “Target-Fortesa”, dhe Këshilli Gjyqësor ka konstatuar se rasti pa shpjegim të arsyeshëm është mbajtur në sirtar për muaj të tërë. Ndryshe nga babai i tij gjykatës, Jetmir Bexheti ka zgjedh të jetë prokuror publik. I fundit në radhë është Ilir Jakupi, djali i Subhi Jakupit, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe gjykatës aktual në Gjykatën e Lartë Administrative.

Nga “grupi politik”, gjykatës apo prokurori i ardhshëm do të jetë Barlet Xhaferi, djali i Talat Xhaferit – kryetarit të Parlamentit. Ndërsa Biljana Ivanova, nusja e djalit të Cvetanka Ivanova, e cila është sekretare e përgjithshme e Parlamentit, renditet lart në ranglistë dhe do të mbajë një pozitë në sistemin e drejtësisë. Në këtë listë është edhe emri i Simona Mucunski-Bubevska, bashkëshortja e Timço Mucunskit – kryetarit të Komunës së Aerodromit.

Këta janë vetëm disa nga emrat e dëgjuesve që i njeh publiku, të cilët vitet e fundit janë lidhur me gjykatës, prokurorë dhe politikanë. Në ndërkohë, pothuajse secili konkurs i Akademisë është përcjellë me reagime të shumta, por edhe akuza publike për ndikim te vlerësuesit, me qëllim që kandidatë të caktuar të kalojnë provimin për regjistrim në Akademi. /SHENJA/

 

MARKETING