(VIDEO) Kovaçevski: Mickoski dhe VMRO gënjejnë në pafundësi

Spekulimet, mashtrimi i opinionit, gënjeshtra e fundit dhe një tjetër mjegullnajë në serial, kështu e komentoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaratën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sipas të cilit “Qeveria po punon për krijimin e një shteti binacional me ndryshimet kushtetuese”.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Kjo është një tjetër nga seria e mjegullnajave dhe mashtrimeve të opinionit nga opozita, e njëjta opozitë tha gjithashtu se nuk e di sa miliona emigrantë do të ketë në vend, se vendi do të kantonizohet, duke votuar propozimin francez do të jemi bullgarizuar dhe asimiluar dhe se do ta kishim humbur gjuhën maqedonase, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Kjo është e fundit në serinë e gënjeshtrave”.

Kryeministri rikujtoi se Grupi Punues për Amendamentet Kushtetuese ka për obligim që t’i përgatisë amendamentet sipas kornizës së negociatave. Qeveria do të jetë kërkuesi dhe ka të bëjë me ndryshimin e Preambulës dhe futjen e pjesëve të tjera të kombeve në të, ku tashmë ka pjesë të tjera të kombeve. Është obligim që është imperativ dhe punë themelore e Grupit Punues, e më pas edhe e organeve parlamentare, shtoi Kovaçevski. Ai tha gjithashtu se ende nuk e ka dëgjuar deklaratën e kryeparlamentarit bullgar.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Nuk e kam parë deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Bullgarisë, por ndryshimi i preambulës dhe futja e pjesëve të popullit bullgar, 3500 bashkëqytetarëve tanë që vetëpërcaktohen si bullgarë, është pjesë e negociatave, kornizë në të cilën siguruam gjuhën dhe identitetin maqedonas të mbrojtur dhe me të cilin filluam negociatat. Ky është një nga angazhimet që do të marrë kuvendi ynë dhe më pas do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve dhe klasterave dhe vendi do të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030”.

Lidhur me deklaratën e bërë në Samitin e Këshillit të Evropës, Kovaçevski tha se nuk ka asgjë për të sqaruar dhe se deklaratën e ka të plotë, kështu që mund të dëgjohet dhe shikohet në çdo moment. “Atë që kisha për të thënë në Samitin e Këshillit të Evropës, e thashë para 46 delegacioneve shtetërore” tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING