(VIDEO) Klekovski: Vaksina nuk ka dhënë asnjë efekt anësor

(VIDEO) Klekovski: Vaksina nuk ka dhënë asnjë efekt anësor

 

MARKETING

Shik.mk

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski ka deklaruar se 2 seritë e vaksinës BCG, për të cilat u ngritën dyshime për parregullsi në Kroaci, në vendin tonë janë përdorur deri në verën e këtij viti dhe nuk kanë shkaktuar efekte anësore. Klekovski tha se nga institucionet kompetente po kryhen analiza shtesë dhe se opinioni do të njoftohet për rezultatet e tyre. Ai apeloi prindërit për vaksinim të rregullt të fëmijëve sipas kalendarit të imunizimit.

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Në vendin tonë nuk ka efekte anësore të dokumentuara që lidhen me përdorimin e këtyre serive. Ministria, së bashku me institucionet kompetente, po kryen analiza shtesë dhe publiku do të informohet në kohë për rezultatet e tyre. Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë vazhdimin e pandërprerë të vaksinimit me vaksinën BCG, në bashkëpunim me UNICEF-in. I bëjmë thirrje prindërve që të vazhdojnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve sipas kalendarit të imunizimit. Vaksinimi mbetet mbrojtja më e sigurt për shëndetin e fëmijëve.”

Ndërkaq reagim sot kishte edhe nga ministria e shëndetësisë në Bullgari të cilët njoftuan se Prodhuesi shtetëror bullgar i produkteve farmaceutike Bul Bio NCIPD i ka hedhur poshtë pretendimet për probleme me cilësinë e vaksinës së tyre BCG, duke sqaruar se në rastet e raportuara në Kroaci ishte dhënë dozë 10 herë me e madhe se doza e përcaktuar.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË E BULLGARISË

“Hetimi i „Bul Bio“ ka treguar se në dy nga katër rastet e raportuara në Kroaci, ishte dhënë dozë dhjetë herë më e madhe se doza e përcaktuar”.

Vaksina BCG është vaksinë kundër formave të rënda të tuberkulozit. Ajo jepet menjëherë pas lindjes ose gjatë muajve të parë të jetës së fëmijës. BCG vaksinën vendi ynë dhe disa vende të tjera të Unionit Evropian e marrin nga Bullgaria.

Agjencia kroate për kontrollin e barnave dhe pajisjeve mjekësore (HALMED) njoftoi se kishte ndërprerë shpërndarjen dhe përdorimin e vaksinës, pasi kishte marrë katër raportime për si reaksion të padëshiruar pas marrjes së vaksinës. Edhe RMV e ndaloi dje përkohsisht këtë vaksinë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING