(VIDEO) Gjermania përgjysmon kuotën për punëtorët në Ballkani

(VIDEO) Gjermania përgjysmon kuotën për punëtorët në Ballkani

Qeveria gjermane ka miratuar një rregullore me të cilën kuota vjetore për punëtorët nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, nga 1 janari i vitit 2027 do të ulet nga 50 mijë në 25 mijë. Propozimi është përgatitur nga Ministria gjermane e Punës dhe Çështjeve Sociale, ndërsa kancelari gjerman më 4 nëntor ia ka përcjellë Bundesratit.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturin Rregulli për Ballkanin Perëndimor, i cili që nga viti 2016 u mundëson qytetarëve të gjashtë vendeve të punojnë në Gjermani edhe pa diplomë të njohur ose kualifikim profesional. Kushti i vetëm është të kenë një ofertë konkrete pune.

Kuota ishte dyfishuar nga 25 mijë në 50 mijë vetëm në mesin e vitit 2024, ndërsa tani po rikthehet në nivelin e mëparshëm. Në arsyetimin e vendimit, qeveria gjermane thekson se synon të zvogëlojë migrimin e fuqisë punëtore që nuk bazohet në kualifikime

Interesimi për punësim në Gjermani edhe deri më tani ka qenë më i madh se numri i vendeve në dispozicion. Sipas Agjencisë së Punësimit, kuota për vitin 2025 ishte shteruar që në fund të nëntorit. Vetëm gjatë muajit dhjetor ishin refuzuar rreth 18 mijë kërkesa, për shkak se nuk kishte më leje të lira pune. Për këtë arsye, Agjencia e Punësimit kërkon që kuota të mbetet në 50 mijë, ndërsa Unioni i Punëdhënësve Gjermanë kërkon që kufizimi të hiqet tërësisht. Kundër uljes së kuotës janë edhe shoqatat e sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë, turizmit dhe logjistikës.

Fjalën përfundimtare e ka Bundesrati, këshilli federal përmes të cilit 16 landet gjermane marrin pjesë në miratimin e ligjeve dhe rregulloreve. /SHENJA/

MARKETING