(VIDEO) ISHP kërkon taksa më të larta dhe ndalesë reklamimi për pijet e gazuara

(VIDEO) ISHP kërkon taksa më të larta dhe ndalesë reklamimi për pijet e gazuara

Instituti i Shëndetit Publik propozon vendosjen e taksave për pijet e ëmbla dhe ndalimin e reklamimit të produkteve me përmbajtje të lartë sheqeri, për të reduktuar disponueshmërinë dhe konsumin e tyre. Ata thonë se trajtimi i problemit të obezitetit kërkon masa sistematike që do të reduktojnë ekspozimin e popullatës ndaj ushqimeve dhe pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit, kripës dhe yndyrnave të pashëndetshme.

INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK

“Në Maqedoninë e Veriut, ashtu si globalisht, shkalla e mbipeshes nxitet nga ndryshimet në ekonomi, rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara, reklamimi agresiv i ushqimeve të pashëndetshme dhe ulja e niveleve të aktivitetit fizik. Në këto zona nevojitet ndërhyrje urgjente për të parandaluar përkeqësimin e situatës”.

Sipas hulumtimit të ISHP-së, 30.4% e fëmijëve të moshës 6 deri në 9 vjeç janë mbipeshë, dhe 13.8% janë obezë. Rreth 4.4% e tyre vuajnë nga obeziteti ekstrem, i cili rrit seriozisht rrezikun e sëmundjeve kronike në jetën e mëvonshme.

INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK

“Përpjekjet e deritanishme, të fokusuara kryesisht në zakonet individuale, nuk janë të mjaftueshme”. “Obeziteti nuk është vetëm pasojë e zgjedhjeve personale – është një problem shëndetësor që kërkon zgjidhje sistematike”.

Nga ISHP thonë se popullsia maqedonase konsumon dy herë më shumë kripë sesa rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe se veçanarisht shqetësuese është sasia e kripës në bukën e bardhë, e cila dominon në ushqime. Sipas analizave, thonë ata buka e bardhë e vendit tonë është ndër produktet me përmbajtjen më të lartë të kripës në botë.  Parandalimi i obezitetit duhet të jetë një prioritet kombëtar. Duke kombinuar masat tatimore, kufizimet ligjore dhe kushte më të mira për ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik, mund të arrihen efekte pozitive afatgjata në shëndetin publik”, thuhet në komunikatën e ISHP-së.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING