(VIDEO) Irani i gatshëm të ndalojë sulmet nëse ndalon edhe Izraeli

Këto janë pamjet e qyteteve izraelite pas sulmeve iraniane që janë si përgjigje ndaj sulmit të ditës së premte ku u vranë një numër i madh i krerëve ushtarakë të Teheranit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se Irani është i gatshëm t’i ndalojë sulmet ndaj Izraelit nëse Tel Avivi ndalon ofensivën. Kryedilomati deklaroi se lufta i është imponuar Iranit dhe se Teherani nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të përgjigjej.
Në anën tjetër, Izraeli ka kërkuar nga ShBA-ja të bashkohej me fushatën ushtarake kundër Iranit.
Duke cituar burime amerikane dhe izraelite, media Axios njoftoi se Izraeli nuk ka aftësi për ta shkatërruar vendin e pasurimit të uraniumit në Fordow të Iranit, i cili ndodhet thellë brenda një mali dhe ka nevojë për ndihmën e ShBA-së për ta shënjestruar atë në mënyrë efektive.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se Izraeli kërkoi nga ShBA-ja të bashkohej në operacionin ushtarak, por tha se aktualisht administrata amerikane nuk po e shqyrton këtë.
Duke cituar një burim izraelit, media amerikane më herët deklaroi se presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka sugjeruar pjesëmarrjen e mundshme të ShBA-së nëse do të ishte e nevojshme gjatë bisedimeve të fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të premten e mohoi pretendimin. ShBA-ja vazhdimisht ka deklaruar se Izraeli veproi i vetëm në veprimet e fundit ushtarake kundër Iranit.
Ndërkohë, kryediplomati iranian deklaroi se kanë prova të dokumentuara për mbështetjen që forcat amerikane në rajon dhe bazat e tyre i kanë dhënë sulmeve ushtarake të regjimit sionist. /SHENJA/