(VIDEO) Investimet e dyshimta në Sazan, Reuters: Investiorët duket se nuk kishin dijeni për falsifikimet
Një biznesmen me bazë në Majami, i kërkuar nga autoritetet shqiptare nën dyshimet për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë për një parcelë toke ku dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, planifikon të ndërtojë një resort me vlerë disa miliardë dollarë. Kjo bëhet e ditur në dosjet e Agjencisë shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar, të shqyrtuara nga agjencia Reuters. Biznesmeni i lartpëmendur, Artur Shehu i mohon të gjitha akuzat ndaj tij.
Sipas dosjeve hetimore, Artur Shehu dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast dyshohen se kanë trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve evropiane, ndërsa fitimet e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i kanë pastruar përmes krijimit të një perandorie në sektorin e pasurive të paluajtshme. Në muajin prill, Artur Shehu ia shiti segmentin e bregdetit shqiptar, ku planifikohet ndërtimi i resortit luksoz, kompanisë Albania Land Development, e cila është në pronësi të Sazan Real Estate Development – kompania zhvilluese e projektit të mbështetur nga Kushner – si dhe investitorëve të tjerë.
Megjithatë, në dosjet hetimore nuk ngrihen akuza për ndonjë veprim të paligjshëm ndaj Jared Kushner dhe personave tjerë. Sipas agjencisë Reuters, nuk ka asnjë tregues se investitorët kanë qenë në dijeni të dyshimeve që rëndonin mbi Shehun. Ndërkohë, Qeveria shqiptare e ka mbështetur fuqishëm projektin.
Ndërkohë, banorët e fshatit Zvërnec, prej më shumë se një dekade po e kundërshtojnë në gjykatë pretendimin e Artur Shehut për pronësinë e tokës.
Resorti i mbështetur nga Jared Kushner është planifikuar të ndërtohet në një zonë me plazhe të egra, pyje dhe ligatina që shërbejnë si habitat për breshkat e detit e flamingot. Kjo histori ka ncitur protesta masive anti-qeveritare, tashmë të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. /SHENJA/

