Plagosen dy palestinezë nga sulmet izraelite në Gaza, pavarësisht armëpushimit
Të paktën dy palestinezë u plagosën sot herët në mëngjes nga një sulm ajror izraelit që shënjestroi një apartament banimi në qytetin e Gazës, thanë për Anadolu burime mjekësore dhe lokale.
Të plagosurit janë pasojë e sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, në shkelje të vazhdueshme të armëpushimit që është në fuqi që nga tetori i vitit 2025.
Burimet thanë se një helikopter izraelit lëshoi të paktën një raketë drejt një apartamenti në një ndërtesë banimi në lagjen Sheikh Radwan, në veri të qytetit të Gazës, duke plagosur lehtë dy palestinezë.
Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ushtria izraelite kreu shkatërrime të gjera të shtëpive në zonat nën kontrollin e saj, në lindje të vendbanimit Al-Masdar, krahas bombardimeve të rënda me artileri përreth zonës.
Dëshmitarët okularë i thanë Anadolu-s se nga shkatërrimet u rrënuan ndërtesa dhe shtëpi të braktisura. Ata shtuan se një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në zona të gjera të Rripit të Gazës.
Në pjesën jugore të Rripit të Gazës, automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr të dendur drejt tendave ku strehohen palestinezët e zhvendosur në zonat Kizan al-Najjar dhe Jorat al-Lut, në jug të Khan Younisit, sipas burimeve lokale.
Nga të shtënat nuk u raportuan viktima. Shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza kanë shkaktuar vdekjen e 1.574 palestinezëve dhe plagosjen e 5.687 të tjerëve deri të enjten, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka zhvilluar luftë gjenocidale në Gaza, ku janë vrarë mbi 74 mijë palestinezë dhe janë plagosur mbi 175 mijë të tjerë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës civile është shkatërruar.

