(VIDEO) Gjerogjivski: Kursyem gjysmë milioni euro në karburant të autobusëve
“Ndërmarrja e Qarkullimit Publik ka kursyer rreth gjysmë milioni euro në karburant këtë vit, edhe pse ka më shumë autobusë në rrugë sesa në vitet e kaluara”. Kështu deklaron Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski nga ku ai vlerëson se ky ndryshim tregon se ka pasur abuzime me fondet e karburantit në të kaluarën. Në një postim të drejtpërdrejtë në Facebook, në të cilin foli për buxhetin e Qytetit të Shkupit, Gjorgjievski theksoi se më shumë se 200 autobusë aktualisht operojnë në NQP, krahasuar me 148 autobusë kur ai mori drejtimin e qeverisjes së qytetit. Ai thotë se për monitorimin e konsumit dhe parandalimin e abuzimeve të mundshme të karburantit janë instaluar pajisje GPS në autobusë dhe sonda matëse të karburantit.
Sinkron: Orce Gjorgjievski, Kryetari i Qytetit të Shkupit
“Kemi gjysmë milioni euro kursime në karburant në kushtet kur kemi 50 autobusë plus të lëshuar në qarkullim. Kur u bëra kryetar komune, 148 autobusë operonin në NQP, sot mbi 200 autobusë operojnë në linja, dhe kemi mbi gjysmë milioni euro kursime, që do të thotë se dikush i shfrytëzoi qytetarët në të kaluarën. Kemi futur kontroll mbi konsumin e karburantit duke instaluar pajisje GPS në autobusë, automjete të ndërmarrjeve publike dhe makina të Qytetit të Shkupit. Janë instaluar edhe sonda matëse të karburantit, me qëllim monitorimin e konsumit dhe parandalimin e abuzimeve të mundshme”.
Lidhur me situatën në NQP, Gjorgjievski njoftoi edhe mbërritjen e 100 autobusëve të rinj ekologjikë. Sipas tij, futja e tyre do të mundësojë organizim më të mirë të linjave, rregull më të madh të transportit me autobusë dhe stabilizim të operacioneve të kompanisë.
Ndërkaq, për të përgatitur infrastrukturën për autobusët e rinj, ai thotë se ekipet nga EVN, Ministria e Transportit dhe NQP tashmë po punojnë për të siguruar vende të përshtatshme për ngarkim, dhe në vende të caktuara do të kërkohet edhe ndërtimi i nënstacioneve. Anida Muradi /SHENJA/

