(VIDEO) Fillon viti i ri akademik, krerët shtetëror porositën: Arsimi është çelësi i së ardhmes
Dyert e universiteteve u hapën sot për një tjetër gjeneratë studentësh. Zëra të rinj, pritshmëri të reja dhe një fillim i ri akademik. Për studentët, dita e parë në universitete solli edhe mesazhe të rëndësishme për rrugëtimin që i pret, nga drejtuesit e universiteteve e deri te përfaqësuesit institucionalë, të cilët u uruan studentëve një fillim të mbarë dhe suksese në vitet e tyre akademike.
Mesazhet e drejtuesve të institucioneve u fokusuan te rëndësia e arsimit, cilësia e studimeve dhe mundësitë që u ofrohen të rinjve. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, i pranishëm në Universitetin “Goce Dellçev”, u përcolli studentëve mesazhin e tij duke theksuar se ky rrugëtim do të jetë baza mbi të cilën më tej do të ndërtojnë karakterin profesional.
Hristian Mickoski, Kryeministër
“Do të përballeni me sfida, me ngritje dhe rënie, por jam i bindur se kjo pjesë e jetës suaj do të përfundojë me sukses, do ta kujtoni gjatë gjithë jetës dhe ajo do të jetë baza mbi të cilën më tej do të ndërtoni familjet tuaja, të cilat do të kontribuojnë në ndërtimin e atdheut tonë të përbashkët, Maqedonisë”.
Ndërkaq edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u uroi mirëseardhje studentëve nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, duke theksuar se ata përfaqësojnë potencialin më të madh të Maqedonisë së Veriut.
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës
“Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës po punojmë me përkushtim për krijimin e kushteve më të mira për studim, modernizimin e programeve studimore, mbështetje më të madhe për shkencën dhe kërkimin shkencor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës“.
Ndërkohë edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, u uroi studentëve një vit të mbarë akademik nga univerziteti “Nënë Tereza”, duke theksuar se sot studentët po hapin një kapitull të ri të jetës.
Driton Sulejmani, Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës
“Sot nuk jeni thjesht student që po regjistroheni në fakultet, sot po hapni një kapitull të ri të jetës, një kapitull në të cilin do të mësoni profesione, do të fitoni dije, dhe aftësi por mbi të gjitha do të mësoni të mendoni në mënyrë të pavarur, të bëni pyetje, të kërkoni përgjigje dhe të besoni në profesionin tuaj. Dua të ju them diçka që do të doja ta mbani mend gjatë gjithë studimeve, mos kini frikë nga sfidat, frikësohuni vetëm nëse ndaloni së provuari”.
Me entuziazmin e fillimit dhe pritshmëritë për atë që i pret, studentët tashmë filluan vitin e ri akademik. Një rrugëtim i ri për ta, që përveç dijes dhe përgatitjes profesionale, sjell edhe përvoja që do t’i shoqërojnë gjatë viteve të universitetit.
Anida Murati /SHENJA/

