(VIDEO) Ende pa paga për janarin, protestuan mjekët e spitalit “8 Shtatori”

(VIDEO) Ende pa paga për janarin, protestuan mjekët e spitalit “8 Shtatori”

Mjekë të spitalit “8 Shtatori” në Shkup protestuan duke u kërkuar organeve shtetërore që sa më shpejt t’u jepen pagat e vonuara të muajit janar. Marjan Risteski, kryetar i Sindikatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të “8 Shtatorit”, deklaroi se aktualisht Qeveria merret me ministrat e rinj, e jo me hallet e punëtorëve. Ai bëri thirrje që rroga të paguhet menjëherë, por gjithashtu theksoi  se ka frikë se ndoshta qeveritarët nuk kanë para.

MARJAN RISTESKI, KRYETAR I SINDIKATËS PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË PUNËTORËVE TË “8 SHTATORIT”

 “Qeveria merret me veten, se cilët ministra do të hyjnë, cilët do të dalin. Ata harruan funksionin bazë – kujdesin për punëtorët. Të gjithë e dimë se si këta mjekë bënë përpjekje mbinjerëzore për të mbrojtur shëndetin tonë, por qeveria vepron në mënyrë të pahijshme. Mjekët janë të revoltuar, kërkojnë që pagat të procedohen sa më shpejt”

 Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Spitalit “8 Shtatori”, Renata Gjakonoviq pyeti publikisht se kush do t’i paguajë kamatat për kreditë që kanë nëpër banka, pasi nuk mund të paguajnë këste për shkak se nuk kanë marrë rrogë.  Ajo theksoi se spitali ka punonjës me pak të ardhura personale, që e kanë vështirë të mbijetojnë. Gjakonoviq ka kritikuar edhe administratën drejtuese të  spitalit.

RENATA GJAKONOVIQ, KRYETARE E SINDIKATËS SË PAVARUR TË SPITALIT “8 SHTATORI”

 “Kemi marrë një njoftim nga Administrata e Spitalit që kjo protestë nuk do të jetë zyrtare. Dhe nuk është zyrtare. Sindikata është përfaqësuese, kemi mjaft anëtarë dhe jemi përfaqësues. Në një institucion mund të ketë disa sindikata. Njerëzit nuk duhet të dekurajohen, duhet të dalin dhe të bëjnë të ditur zërin dhe opinionin e tyre. Ajo që ata kërkojnë është e drejtë ligjore e të gjithëve”

 Drejtuesit e sindikatave paralajmëruan se nëse vonohet dhënia e pagave do të radikalizojnë protestën, ku përfshihet edhe bojkotimi i punës.

/SHENJA/

MARKETING