(VIDEO) BDI njofton ambasadat: Komuna e Tetovës po vepron me “mjete mesjetare”, reagon VLEN
Një ditë pas protestes të mbajtur në Tetovë për emrat e rrugëve, kryetari i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka njoftuar se mbrëmë u ka dërguar një shkresë Misionit të OSBE-së në Shkup dhe ambasadave të shteteve mike të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke i informuar për veprimet e Komunës së Tetovës që kanë ndikuar në organizimin e protestës qytetare të 11 korrikut. Ai akuzonë komunën e Tetovës se ka përdorur siç tha, metoda metodat mesjetare, për të penguar protestën dhe për të nxitur incidente. Ai tha se në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, Komuna e Tetovës, vetëm një ditë para protestës, njoftoi organizimin e një aktiviteti tjetër, ndërsa tha se për protestën janë informuar oganet kompetente një javë më parë.
BAJRAM REXHEPI, BDI
“E konsiderojmë këtë qasje si një veprim të papranueshëm dhe të papajtueshëm me kulturën politike demokratike. Shfrytëzimi i autoritetit dhe i resurseve të pushtetit lokal për të mbivendosur një aktivitet tjetër mbi një protestë qytetare përbën një formë presioni institucional dhe një përpjekje për ta kufizuar në praktikë lirinë e tubimit dhe të shprehjes. Përtej dimensionit politik, ky veprim krijon edhe një rrezik serioz për sigurinë publike”.
Për këtë kanë reagur edhe partia VLEN, të cilët e udhëheqin komunën. Ata theksojnë se pretendimet e BDI-së për pengimin e protestës janë edhe një përpjekje për të mbuluar realitetin. Sipas tyre, BDI nuk arrin më të mobilizojë qytetarët si dikur dhe kërkon alibi për dështimin e saj politik.
PARTIA VLEN
“BDI duhet ta kuptojë se Tetova nuk është pronë e askujt. Koha kur kjo parti besonte se mund të fliste në emër të të gjithë shqiptarëve ka përfunduar. Qytetarët kanë zgjedhur ndryshimin dhe nuk do të kthehen pas. Sa më shumë që BDI organizon protesta për të shpëtuar veten, aq më shumë dëshmon se nuk ka më as vizion, as besueshmëri dhe as përgjigje për dështimet e saj”.
Nga VLEN theksojnë se BDI protestoi për privilegjet e humbura, e jo për Tetovën, ndërsa shtojnë se ata mbeten të përkushtuar që çështja e emrave të rrugëve në Tetovë të zgjidhet në mënyrë ligjore, institucionale dhe në interes të qytetarëve.
Samir Mustafa /SHENJA/

