Mediat iraniane: Garda Revolucionare interceptoi një avion luftarak “armiqësor” në Ngushticën e Hormuzit
Forcat Hapësinore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë interceptuar një avion luftarak “armiqësor” pranë ishullit Keshm, në Ngushticën e Hormuzit, raportuan të enjten mediat iraniane, mes njoftimesh për shpërthime dhe aktivitet të mundshëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore, transmeton Anadolu.
Agjencitë iraniane të lajmeve Tasnim dhe Mehr, duke cituar burime, raportuan se Forcat Ajrore interceptuan avionin dhe e detyruan të largohej nga zona.
Agjencitë nuk zbuluan origjinën apo modelin e avionit, duke theksuar se nuk është publikuar asnjë njoftim zyrtar lidhur me incidentin e raportuar.
Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve Fars raportoi se janë dëgjuar disa shpërthime pranë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë në ujërat pranë Sirikut dhe ishullit Keshm.
Duke cituar burime lokale, Fars tha se banorët e ishullit Keshm kanë raportuar se kishin parë shkëndija drite dhe kishin dëgjuar zhurma në qiell, ndërsa disa burime thanë se janë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore.
Agjencia tha se gjetjet paraprake tregojnë se disa nga zhurmat lidhen me të shtëna paralajmëruese ndaj mjeteve lundruese që dyshohet se po operonin pa autorizim në Ngushticën e Hormuzit.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm zyrtar për incidentet e raportuara.

