(VIDEO) BDI: Kompani të lidhura me Ramën dhe Zekollin kanë marrë para publike
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim për pasurinë e padeklaruar të drejtorit të NOMAGAS, Nedim Rama, që sipas tyre është dora e djathtë e Izet Mexhitit. BDI pretendon se Nedim Rama nuk ka dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. BDI kërkon që antikorrupsioni menjëherë të hapë lëndë të dytë dhe hetim të plotë për pasurinë e padeklaruar të Nedim Ramës, pasi siç thonë ata, lënda e parë veçmë ekzizton.
TABELË:BDI
“Lënda e parë e antikorrupsionit ka të bëjë pikërisht me Nedim Ramën, hotelierin nga Çairi, siç e quanin mediat, pasi u zbulua se lounge-bar ‘1SH’, i menaxhuar përmes kompanisë ‘Near 2015’, pronarë të së cilës kanë qenë Nedim Rama dhe zv/ministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka marrë pagesa nga Komuna e Çairit për reprezentacion.”
Sipas BDI-së, e gjithë kjo ka ndodhur në periudhën kur Kaltrina Zekolli Shaqiri ushtronte funksionin e zëvendësministres, ndërsa Nedim Rama ishte këshilltar i posaçëm për financa në kabinetin e Izet Mexhitit në Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Sipas BDI-së, kjo është shkelje brutale e kodeve etike dhe detyrimeve ligjore për llogaridhënie, dhe se heshtja për gjendjen pasurore dhe rrjedhat e dyshimta të parave hapin dyshim të arsyeshëm për korrupsion sistematik dhe derdhje të parave të Komunës së Çairit në xhepa privatë.
TABELË:BDI
“Faktet që deri tani kanë dalë në publik janë bazë e mjaftueshme që antikorrupsioni më në fund të dalë me epilog për këtë rast. E ftojmë Komisionin Antikorrupsion që ta përfundojë procedurën, të përcaktojë përgjegjësi dhe të dorëzojë iniciativë për ndjekje penale në Prokurori”.
BDI kërkon hetim urgjent të pasurisë së Nedim Ramës, pasi siç theksojnë ata, drejtësia nuk guxon të ndalet para dyerve të funksionarëve./SHENJA/

