(VIDEO) Aziri: Ligji nuk përmban asnjë nen që rregullon përfaqësimin e drejtë
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili ka ngjallur shumë debat në opinion, ku opozita e kritikon, e pushteti e lavdëron, nuk ka kaluar pa u diskutua edhe në emisionin “IMPAKT” në Televizionin Shenja, ku i ftuar ka qenë deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri. Ai ka kritikuar ashpër propozim-ligjin e Qeverisë, duke vlerësuar se ai nuk i plotëson kriteret themelore të një ligji dhe nuk ofron zgjidhje konkrete për çështjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë.
Aziri deklaroi se dokumenti i propozuar nga Qeveria “nuk është ligj, por një pamflet”, duke shtuar se ai paraqet vetëm një shprehje të vullnetit politik për t’i krijuar opinionit përshtypjen se po ndërmerren hapa për rregullimin e Përfaqësimit të Drejtë.
ELMI AZIRI, DEPUTET I LIDHJES SHQIPTARE
“Kemi një ndeshje, kemi një konflikt mes asaj që thuhet publikisht dhe realisht rreth asaj që është e shkruar në ligj. Publikisht thuhet se me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të rregullohet çështja që nuk është rregulluar 20 vjet për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që i referohet sigurisht komuniteteve jo shumicë. Por, ligji brenda nuk përmban asnjë nen që i referohet kësaj çështje, nuk përmban asnjë mekanizëm zbatues që i referohet kësaj çështje, nuk përmban as instrumente të kontrollit për këtë çështje dhe nuk përmban as masa ndëshkuese dhe as sanksione që do të aplikoheshin në rast se nuk përfillet, nuk zbatohet ligji si i tillë”.
Ai më tej shtoi se, në kërkesën drejtuar Komisionit është theksuar se ligji nuk duhet të përmbajë kuota etnike, por duhet të mbështetet në parimet e meritokracisë dhe profesionalizmit.
Ndërkaq, sa i përket ligjit për ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor, i cili po ashtu bëri bujë në opinion, ku opozita e kundërshton, deputeti Aziri deklaroi se partia e tij do të insistojë që në ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor të përfshihet votimi elektronik i diasporës në të gjitha proceset zgjedhore, përfshirë edhe zgjedhjet lokale.
ELMI AZIRI, DEPUTET I LIDHJES SHQIPTARE
“Ka një rezistencë sa i takon votimit të diasporës në formë elektronike edhe për zgjedhjet lokale. Ekziston ujdia që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, megjithatë propozimi dhe insistimi ynë është që të votojnë në formë elektronike edhe në zgjedhjet lokale, sepse ato kanë investime këtu. Nuk ka argumentime, nuk ka shpjegime në kuadër të komitetit, komisionit që po bëjmë diskutime, po ne si parti politike do t’i shfrytëzojmë mundësitë e tona që i jep rregullorja e kuvendit dhe nëse është e nevojshme të bllokojmë edhe këtë ligj nëse nuk përfillet e drejta e mërgatës për të votuar edhe në zgjedhjet lokale”.
Me këtë propozim të partisë, Aziri e cilëson këtë si një të drejtë kushtetuese të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Megjithatë, propozimet e kësaj partie nuk janë pranuar në grupin e punës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Samir Mustafa /SHENJA/

