(VIDEO) AMS: Rritja e çmimeve të sigurimit të automjeteve është e pajustifikuar

(VIDEO) AMS: Rritja e çmimeve të sigurimit të automjeteve është e pajustifikuar

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në letrën drejtuar mediave, ka inkurajuar qeverinë, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, të mbrojë të drejtat e të siguruarve dhe nëpërmjet ndryshimeve në Tarifa të ulë çmimet e policave për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë automobilistike. Ata ritheksuan edhe një herë qëndrimin e tyre se vendimi për rritjen e çmimit të policës së detyrueshme gjatë regjistrimit të automjeteve në lartësi prej 15.4% është krejtësisht i pajustifikuar dhe një lëvizje pa bazë.

AGJENCIA E MBIKËQYRJES SË SIGURIMEVE

“Lëvizja me të cilën kompanitë e sigurimeve rritën çmimet e sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë automobilistike është krejtësisht e pajustifikuar.  Rritja e çmimit të sigurimeve nuk është në funksion të forcimit të mbrojtjes së të siguruarve”.

Në letrën drejtuar mediave thuhet gjithashtu se Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve ka dorëzuar në komisionin kompetent pranë Ministrisë së Financave një analizë, e cila përmban argumentet kryesore kundër rritjes së çmimit të sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë automobilistike.

AGJENCIA E MBIKËQYRJES SË SIGURIMEVE

“Bazuar në analizën e të dhënave historike statistikore dhe financiare dhe projeksioneve të marra për zhvillimin e raportit të humbjeve të shoqërive të sigurimit, Agjencia vlerëson se vendimet e shoqërive të sigurimit për një rritje identike të policës për sigurimin e detyrueshëm është e pajustifikuar”.

Më 25 prill çmimi i policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve është rritur me 15,44 përqind për automjetet me fuqi mbi 44 kilovat. Rritja e çmimit është nga 840 deri në 1.600 denarë, varësisht nga fuqia e veturës.

Më 29 prill, Komisioni i Përgjegjësisë për Automobilistikë rekomandoi që Byroja Kombëtare e Sigurimeve dhe rregullatori, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, të sugjeronin që kompanitë e sigurimeve të pezullonin vendimet për të rritur kostot dhe për t’i kthyer ato në nivelet e para 25 prillit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING