(VIDEO) Ajten Hajdari-Qamili: Shqipja shkon drejt një përdorimi të zvetënuar
“Përdorimi i gjuhës shqipe nga viti në vit shkon në rënie, për shkak të epokës digjitale dhe për shkak të mosinteresimit për gjuhën amtare nga brezat e rinj. Shqipja shkon drejt një përdorimi të zvetënuar, të dëmtuar, të cunguar, vlerëson gjuhëtarja Ajtene Halimi Qamili. Ajo konsideron se është e natyrshme që në këtë periudhë digjitale të favorizohen gjuhët e huaja, sidomos anglishtja, megjithatë nuk duhet lënë anash identiteti ynë. Prandaj, thotë ajo, nuk duhet ta lëmë pa kultivuar edhe gjuhën amtare, krahas gjuhëve të huaja.
Profesoresha universitare Halimi Qamili thekson se problemet që janë shtresuar ndër vite, është shumë vështirë që të përmirësohen në fakultet sepse siç thotë, është më vështirë ta çrrënjosësh një formë të gabuar sesa të mësosh nga fillimi një formë të re.
Ajtene Halimi Qamili, profesoreshë e Albanologjisë
“Ajo që më së shumti vërehet tani kohët e fundit, nuk është vetëm ajo forma e përdorimit të ‘ë-së’, të ‘ç –së’ apo të apostrofit, apo forma të tjera, disa dukuri që i ka krijuar interneti. Janë disa shkurtesa, disa trajta të cilat, apo përdorimit të shenjave të pikësimit pa nevojë, përsëritja e shumë pikëpyetjeve, përsëritja e shumë pikëçuditëseve, përdorimi i shkronjave të mëdha ku duhet dhe ku nuk duhet ose shkruarja e komplet një fjale për t’i dhënë një theks me shkronjë të madhe”.
Albanologia Ajtene Halimi ndalet edhe te gabimet që bëjnë mediat, duke u ndikuar nga mediat e Shqipërisë, sidomos theksi në shkronjën e gabuar.
Ajtene Halimi Qamili, profesoreshë e Albanologjisë
“Theksi përdoret shumë gabim në disa forma si për shembull Maqedonia e Vѐriut përdoret gabim, që është Maqedonia e Veriùt, ose njeri, qiri, ato janë forma të gegërishtes verilindore dhe ato nuk duhet të përdoren në shqipen standarde. Po e shohim se një numër i madh edhe i gazetarëve e përdorin këtë formë të theksit. Gjithashtu përdorimi i fjalëve të huaja, po ashtu përdorimi i zanores ‘ë’ të theksuar në vend aty ku duhet të jetë zanorja ‘e’ që është po ashtu ndikim nga mediat e Shqipërisë, për shembull vënd, mënd, mënçur, vëmëndje”.
Ajo githashtu vuri në dukje ngatërrimin e përdorimit të shkronjave “C” dhe “Ç”, për shembull proces, procedurë, porcesverbal, incizim, certifikatë, këto të gjitha thotë se shkruhen me shkronjën “C”. Po ashtu përmend edhe zhbuzorëzimin e shkronjës “Y” në “I” dhe ngatërrimi i shkronjave “R” dhe “Rr.”
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

