Detaje të reja për vdekjen e 38-vjeçarit në Smillkovc: Kishte plagë nga arma e zjarrit
Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me rastin e 38-vjeçarit që u gjet pa shenja jete mëngjesin e sotëm në unazën e Shkupit „Nënë Tereza“, në afërsi të fshatit Smillkovc.
Sipas informacioneve të publikuara, në trupin e tij është vërejtur një plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit, në zonën e këmbës.
Viktima është identifikuar si Edin Sh. nga fshati Lubin i Shkupit. Pranë trupit të tij është gjetur edhe një automjet i markës „Mercedes“, me targa të Shkupit, të cilin ai dyshohet se e kishte drejtuar.
Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të vdekjes dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 21 nëntor, në orën 06:15, pas së cilës në vendngjarje kanë dalë menjëherë zyrtarët policorë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim, ndërsa priten informacione të tjera nga institucionet kompetente.

