(VIDEO) “Ahmetistët” dhe “Grupi i Zjarrit” në Fushë Topanë dhe Vizbeg

(VIDEO) “Ahmetistët” dhe “Grupi i Zjarrit” në Fushë Topanë dhe Vizbeg

Zëvendëskryeministri Artan Grubi, së bashku me ministrin e Punëve të Jashme, Bujar Osamani, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, kanë vazhduar takimet me qytetarët,  siç thanë ata në emër të kryetarit të tyre, Ali Ahmeti, me banorët e Çairit, më saktësishtë me ato të lagjes Fushë Tophanë.

Nga atje Grubi u është përgjigjur edhe kërkesave tani më të qarta të “Grupit të Zjarrit”, të cilët doemos kërkojnë largimin e tij nga posti të cilin e ushtron. Ai tha se një vendim të tillë do të ndërmerrte vetëm nëse këtë e kërkon kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi sipas tij, fjala e kryetarit  Ali Ahmeti është fjala e fundit për Artan Grubin.

ARTAN GRUBI, ZV/KRYEMINISTËR

“Ju kam thënë të gjithëve, edhe unë edhe Bujari, po të na thotë Ali Ahmeti, prej sot jeni tek shtëpia, nuk e bëjmë fjalën  dy, unë ia kam dorëzu dorëheqjen prej ditës parë kur jam bërë funksionarë dhe fjala e tij është fjala e fundit për mua. Unë shumë sinqerisht e konsideroj atë rilindasin e fundit të kombit shqiptar”

Në anën tjetër, takim me qytetarët gjatë ditës së djeshme ka realizuar edhe “Grupi iZjarrit”. Ata ishin në lagjen  Vizbeg të Shkupit. Nënkryetari i BDI-së dhe anëtar po i këtij grupi, Izet Mexhiti tha se këto takime janë burim frymëzimi dhe energji për sfidat e radhës.

IZET MEXHITI, NËNKRYETAR I BDI-SË

“Sonte me agjendën tonë për të takuar dhe dëgjuar zërin e qytetarit e vazhduam në Vizbeg, aty ku na pritën shumë bashkëmendimtarë dhe pëkrahës të fuqishëm. Këto takime janë shumë të rëndësishme për ne sepse janë burim frymëzimi dhe energji për sfidat e radhës”.

Nga të dy taboret paralajmërojnë edhe për takime tjera me qytetarët, “Grupi i Zjarrit”, nesër do të jetë në Komunën e Sarajit, ndërsa nga BDI-ja e Ali Ahmetit edhe pse e kanë konfirmuar se do të ketë takime, por nuk e kanë saktësuar se ku dhe si. Samir Mustafa /SHENJA/ 

 

MARKETING