(VIDEO) 35-vjetori i kushtetutës së parë të RMV-së, krerët shtetëror kërkojnë zbatim të parimeve kushtetuese
Sundimi i ligjit nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por mbi të gjitha me zbatimin e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një vend me aspirata për integrim evropian, kështu është shprehur kryeparlamentari Afrim Gashi sot në konferencën shkencore me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së parë të shtetit. Ai tha se 35 vjet pas miratimit të Kushtetutës, sfida është që të ruajmë dhe të avancojmë arritjet e deritanishme, si dhe të sigurojmë që parimet kushtetuese të zbatohen në praktikën e përditshme institucionale.
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, integrimi nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve me institucionet e BE-së, por mbi të gjitha një proces i ndërtimit të institucioneve funksionale, forcimit të drejtësisë, mbrojtjes së lirive dhe garantimit të dinjitetit të qytetarëve. Prandaj, Kushtetuta duhet të jetë themeli i stabilitetit, instrument i zhvillimit dhe një thesar ku ruhen vlerat themelore të shtetit”.
Ndërsa, presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova ka deklaruar se vendi është i gatshëm të zhvillojë bisedime me Bullgarinë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por ka theksuar se kërkon garanci të qarta për procesin e integrimit evropian.
GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA PRESIDENTE E RMV-SË
“Natyrisht, ne nuk jemi radikalë në kërkesat tona. Ne thjesht kërkojmë siguri. Duam që kjo të mos jetë një tjetër ndryshim vetëm për hir të ndryshimit, pas të cilit do të pasojë një tjetër. Ne nuk duam të trajtohemi ndryshe nga të tjerët. Thjesht duam të dimë se, nëse diçka duhet bërë, nën thonjëza, ajo të mos jetë vetëm njëra nga shumë kërkesa të tjera”.
Kushtetuta e parë e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas shpalljes së pavarësisë, u miratua më 17 nëntor 1991, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran. Më 17 nëntor 1991, Kushtetuta u miratua në Kuvend me 92 vota pro dhe 22 vota kundër. Vendimi për shpalljen e Kushtetutës u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit Stojan Andov.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

